Tiranë, 15 qershor, NOA – “Qeveria shqiptare vlerëson qëndrimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për zgjidhje të ngërçit politik në Shqipëri në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim”.
Ky është qëndrimi i mazhorancës në lidhje me deklaratën e bërë dje nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE.
Në një deklaratë për mediat Zëdhënësja e Qeverisë dhe njëkohësisht Ministre e Integrimit, Majlinda Bregu përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
“Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, marrë dje në Luksenburg, ku u rikonfirmua vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Në unanimitet të plotë Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan dje se Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian do të marrin menjëherë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të sigurojë se të gjitha kriteret e vendosura janë plotësuar”, u shpreh ajo.
Bregu u shpreh se Qeveria Shqiptare do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit për të finalizuar aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve për lëvizjen e lirë në Evropë.
“Qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimmarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë”, tha Bregu.
m.xh/NOA