Dinjiteti I Moshës Së Tretë, Apel Kunder Abuzimit Dhe Për Më Shumë Vëmëndje
- Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit të Abuzimit me të Moshuarit
TIRANË, 15 Qershor /ATSH - Mira Shkurta / - Mosha e tretë në Shqipëri vuan pasojat e mosmiratimit ende të Strategjisë Kombëtare për këtë grupmoshë si dhe të një pakete ligjore të plotë, kryesisht për shërbime sociale e mjeksore në familje, qëndra rezidenciale e komunitare dhe politikat për aspektet ekonomike në dobi të tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit të Abuzimit me të Moshuarit, përfaqësues të shoqërisë civile, të pushtetit qëndror dhe lokal u mblodhën në një takim, ku u diskutua mbi format e abuzimit ndaj të moshuarve, shkaqet dhe faktorët e rrezikut për ta, miratimin e strategjisë për parandalimin e fenomenit, ndërgjegjësimi i shoqërisë për më shumë vëmëndje ndaj të moshuarve, etj.
Nga 540 mijë pensionistë që numurohen sot në Shqipëri, 97 mijë prej tyre jetojnë të vetëm, pa fëmijët e tyre. Përfaqësues të shoqërisë civile ngritën shqetësimin mbi diskriminimin që i bëhet moshës së tretë dhe kërkuan miratimin e Strategjisë për njohjen e nevojave të kësaj grup moshe. Rreth këtij problemi diskutuan edhe përfaqësues të politikës, që ende nuk kanë miratuar ligjin për këtë grupmoshë.
Në qendër të diskutimeve dhe mesazheve të takimit, ishte që duhen gjetur të gjitha format që të moshuarit të kalojnë kohën në mënyrë aktive e jo të lëndohen.
Kontribut të veçantë mund të japin edhe mediat, u theksua në takim, pasi ato mund të prezantojnë për publikun imazhet që sjellin mënçurinë, forcën, kontributet, kurajon dhe aftësitë e të moshuarve, përfshirë edhe ato me aftësi të kufizuara.
Në takim u diskutua dhe për mundësinë e ngritjes së Qendrës Burimore për të moshuarit, si një mundësi për të ofruar të gjithë informacionin e duhur për të moshuarit që aktualisht jetojnë të vetëm, pasi janë 97 mijë të moshuar, ndër 540 mijë pensionistë në Shqipëri që jetojnë të vetëm pa fëmijët.
Strategjia Sektoriale e Mbrojtjes Sociale 2009-2013, që mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (2007-2013), përfshin dhe Dokumentin Ndërsektorial Zhvillues dhe Plan-Veprimit për Moshimin (2009-2013).
Ky dokument parashikon ndërtimin e instrumenteve që mbeshtesin të moshuarit që të ruajnë dinjitetin dhe pavarësinë e tyre në familje dhe komunitetet ku jetojnë, lehtësimin e procesit te bashkërendimit ndër-sektorial për përdorimin efektiv të burimeve buxhetore në nivel qëndror dhe vendor.
Të moshuarit përbëjnë nje grupim të madh numerik, sfidat kryesore për të cilët lidhen me zgjerimin e aksesit në shërbimet social-shendetesore publike dhe jopublike; përfshirja ne procesin e përmirësimit të kuadrit ligjor që ndikon në nivelin dhe cilësinë e jetesës për ta, krijimin e mekanizmave institucionale dhe ligjore per shkëmbimin e përvojave më të mira botërore dhe respektimin e angazhimeve ndërkombëtare që ka shteti./n.m/