English

Ethet Hemoragjike-6 Persona Nga Kukësi Dyshohen Të Jenë Të Prekur Nga Sëmundja

- Flet për ATSH-në drejtori i Planifikimit dhe Politikave Shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero - TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Të paktën 6 persona dyshohen të jenë të prekur nga ethet hemoragjike, ndërkohë që një grua nga rrethi i Kukësit, e prekur nga kjo sëmundje, ka ndërruar jetë në Kosovë javët e fundit. Mjeku infeksionist, njëherësh drejtor i Planifikimit dhe Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha sot për ATSH-në se për të 6 pacientët janë marrë mostrat e gjakut nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik dhe janë dërguar jashtë vendit për konfirmim, ndërsa nuk ka ende një përgjigje të saktë. Ndërkohë, pacientët janë nën mbikqyerje dhe terapi mjekësore. Nga ana tjetër, janë marrë masat edhe në zonën endemike në Kukës, e cila është nën survejim, apo hetim epidemiolgjik të vazhdueshëm nga organet e shëndetit publik të Qarkut të Kukësit. Sipas mjekut Pipero, "tashmë është më se e qartë që në zonën verilindore të vendit është një vatër endemike e ethes hemoragjike, kjo për shkak dhe të vendosjes gjeografike në kufi me Kosovën". Kosova njihet si një vend ku ka shumë ethe hemoragjike, të cilat herë pas here rishfaqen, apo bëhen prezent edhe në njerëz aksidentalisht. Ethja hemoragjike është një sëmundje infektive akute, e rëndë, me vdekshmeri të lartë. Ajo karakterizohet nga dy tipare kryesore; temperatura e lartë dhe hemoragjia në shumë organe të trupit (multiorganore), për këtë arsye dhe vdekshmëria është e lartë. "Sëmundja transmetohet rastësisht përmes një rriqne që është banor i këtyre zonave, që rritet nëpër shkurre dhe merret gjatë ruajtjes së bagëtive, kur kalon në mënyrë të pakujdeshme në duart dhe këmbët e zhveshura, sidomos gjatë periudhës së ngrohtë", sqaron Pipero, sipas të cilit, mikrobi sëmundjeshkaktues jeton tek kafshët e egra. Rriqna, për shkak të ciklit të saj jetësor, ushqehet me gjakun e kafshëve të egra dhe po kështu me gjakun e njeriut kur rastësisht e pickon atë. "Ndaj, çdo rast me temperaturë që shfaqet në këto zona endemike për ethen hemoragjike personeli mjekësor duhet të tregohet i kujdesshëm", vijon mjeku infeksionist. Kurimi është etilogjik, që bëhet me substanca antivirale dhe simptomatik. Sa më shpejt të kapet, aq më të mëdha janë mundësitë për ta shëruar të sëmurin dhe sa më vonë, aq më e rëndë bëhet sëmundja. "Kurimi është kompleks e megjithatë sëmundja ka vdekshmëri të lartë edhe me kurim intensiv", thekson më tej Pipero. Sipas tij, çdo vit ka shfaqje të ethes hemoragjike, çka do të thotë që virusi është aty dhe herë pas here aktivizohet. Ndaj, këto janë vatra që mbahen vazhdimisht nën kontroll nga ana e ISHP-së, i cili ka bërë një punë të lavdërueshme në këto zona jo vetëm sa i takon desinfektimit të zonës, por veçanërisht komunikimit me qytetarët, duke ua bërë prezente sëmundjen dhe rrezikshmërinë e saj. Mjeku Pipero këshillon banorët "të mos kalojnë në zona me shkurre, me mëngë apo pantallona të shkurtra, apo edhe zbathur, pasi mundësia për të rënë pre e pickimit të rriqnave është e madhe". Ndërkohë, sipas tij, "duhet që organet shëndetësore në bashkëpunim me pushtetin lokal të bëjnë desinfektim të zonave për të mos mundësuar agresivitetin e rriqnave, sidomos gjatë kësaj periudhe". /a.ke/
KOMENTE