English

Fratini: Shqipëria E Meriton Liberalizimin E Vizave Me Bashkimin Europian

Deklaron ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini gjatë takimit me zv.Kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Budva - TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - "Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian dhe Italia do të vazhdojë mbështetjen e saj të fuqishme në këtë drejtim", deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini gjatë një takimi me zv.Kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta në Budva (Mali i Zi). Fratini shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë gati për statusin e kandidatit. Zyra e Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme bëri të ditur se, gjatë këtij takimi, të mbajtur në kuadër të mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ) në Budva, ministri italian i Punëve të Jashtme vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, duke shprehur bindjen se ky proces është tashmë i pakthyeshëm. Duke shprehur bindjen se, Shqipëria do të jetë gati për statusin e kandidatit, ai theksoi nevojshmërinë e bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politikë në shërbim të reformave të ndërmara dhe nënvizoi se progresi politik vjen vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për të përmbyllur sa më shpejt tre nënçështjet e mbetura nga Udhërrëfyesi i vizave dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin iniciues dhe kontributin e madh që Fratini ka dhënë që në fillim të këtij procesi. Gjithashtu, Meta vlerësoi Deklaratën e Sarajevës si një frymëzim dhe inkurajim për zbatimin e kritereve të vendosura për integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dy homologët diskutuan dhe mbi ecurinë e NEQ-it dhe theksuan vullnetin e përbashkët për të kontribuar ndaj transformimit të vazhdueshëm të kësaj Nisme, në përshtatje të zhvillimeve aktuale dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve të saj me BE./n.m/
KOMENTE