English

Institucionet Që Menaxhojnë Fonde Publike, Nën Kontrollin E Inspektorëve Financiarë

-Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nis shqyrtimin e p/ligjit "Për inspektimin financiar publik"- TIRANE, 15 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Shpenzimet që kryejnë institucionet qendrore dhe vendore do të kontrollohen edhe nga inspektorët financiarë. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi sot shqyrtimin e p/ligjit "Për inspektimin financiar publik", aprovimi i të cilit sipas autoriteteve të Ministrisë së Financave do të shënojë ndarjen përfundimtare ndërmjet funksionit të auditit të brendshëm dhe funksionit të inspektorit financiar. "P/ligji për inspektimin financiar mbulon të gjitha institucionet që menaxhojnë fonde publike", deklaroi zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, ndërsa shtoi se inspektimi vjen nga një sinjal i jashtëm ose me kërkesë të një personi publik. Ajo që bën një inpektor financiar, u shpreh Haldeda, është ballafaqimi i pretendimit me faktin dhe nëse rezulton të ketë elementë kriminalë çështja çohet në prokurori. "Miratimi i këtij p/ligji do të sigurojë rritjen cilësore të menaxhimit të financave publike dhe plotësimin e kuadrit ligjor sipas kërkesave të Bashkimit Europian", theksoi Haldeda. Në bazë të p/ligjit, ministri i Financave do të ketë rolin kryesor në përzgjedhjen e inspektorëve financiarë, detyra e të cilëve është "mbrojtja e interesave financiare të njësive publike kundrejt menaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit dhe korrupsionit (neni 2)". Struktura e re që do të ngrihet pranë Ministrisë së Financave duhet të analizojë arsyet dhe kushtet e shkeljes së disiplinës financiare dhe të propozojë masat për gjoba, që shkojnë nga 40 deri në 70 mijë lekë. Shqyrtimi i shkeljeve do të nisë pas ankesave të marra nga institucionet, mbi bazën e një grafiku, por edhe nga raportet e KLSH, që do të thotë se inspektim do të kryhet edhe në rast se çështjen e ka trajtuar më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit. /s.s./
KOMENTE