Intervistë/Fier:Strozzi: Perspektiva Ofron Klimë Të Favorshme Bashkëpunimi Itali-Shqipëri.
.
FIER, 15 Qershor /ATSH-Rr.Isufaj/ - Konsulli i italian në Vlorë, Sergio Strozzi në përfundim të një sërë aktivitesh në Fieri, pjesë të "Dy popuj, një det, një miqësi", të dielën, tregon në një intervistë ekskluzive për ATSH, se ky program krijoi imazhin e vërtetë të Shqipërisë, por dhe një investim në forcimin e marrëdhënieve historike mes dy popujve në dy anët e Adriatikut, ku veçon punën e artistëve italianë dhe shqiptarë.
"Artistët italianë u befasuan nga bukuritë dhe vlerat e vendit tuaj", thotë ai.
"Artistët shqiptarë dhe italianë përgjatë 3 muajve punuan së bashku duke hapur ekspozita të përbashkëta pikture, skulpture dhe fotografie artistike. Kemi dhënë një impakt të veçantë në sektorin e fotografisë. Rreth 30 artistë të rinj fotografë italianë dhe 16 shqiptarë demonstruan së bashku, duke përcjellë vlerat e vërteta të resurseve, turizmit," tha Strozzi.
Strozzi vlerëson se ky program krijoi imazhin e vërtetë të Shqipërisë, ku artistët italianë u befasuan nga bukuritë dhe vlerat e vendit tonë.
"Impakti kryesor dhe qëllimi final nga ç'ka kemi parë e ndjerë është se të gjithë pjesëmarrësit në këto evente kanë ikur me një mendim të forcuar, jo me mendim ndryshe mbi marrëdhëniet e mira që ekziztojnë midis dy popujve tanë. Italianët u kthyen nga Shqipëria me një imazh të ri shumë të bukur, ndërsa shqiptarët e kuptuan më mirë se sa i afërt është për ta populli italian. Ky ishte dhe objektivi që kishim vendosur," tha Strozzi.
Ndërsa për procedurat e vizave, barrierës që vënë ato në afrimitetin dhe shkëmbimet e ndërsjellta mes dy popujve, Strozzi ndan mendimin si qytetar nga diplomati, mendimin emocional nga ai politik.
"Mendimi im është që çdo vend ecën nëpër kursin e vet, në rrugën e vet. Nga zemra mund të them po. Mund të ndodhte dhe duhej të ndodhte më parë heqja e vizave. Por duke parë dhe progresin që ka bërë Shqipëria në vitet e fundit dhe zhvillimin e saj ekonomik, mendoj se tani është tamam koha e duhur për heqjen e vizave. Duhet parë dhe ana tjetër, që një liberalizim jo në kohën e duhur, në një kohë më të përparuar se sa duhet, mund të ndikonte negativisht në zhvillimin e vëndit," tha Strozzi.
Programi i ngjeshur i projektit "Dy popuj, një det, një miqësi" i ka dhënë mundësi konsullit italian në Vlorë, siç pohon ai, të zgjerojë shumë hartën gjeografike të përshkuar prej tij, pasi ka qenë pjesmarrës në shumë rrethe dhe qytete si Fieri, Berati, Kuçova, Vlora, Lushnja, etj.
"Mund të them se udhëtoj shpesh nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe secili ka karakterin e vet, të veçantat e tij, në mikëpritjen, në mënyrën se si organizon eventet dhe si pret miqtë," tha Strozzi.
Sipas tij, perspektiva e zhvillimit të marrdhënieve do të jetë shumë e mirë.
"Në sektorin ekonomik dhe tregtar duhet patjetër dhe do të shtohen takimet e përbashkëta të specifikuara për bujqësinë, ushqimet. Do të organizohen takime me biznet shqiptare për mundësi partneriteti me bizneset italiane. Duhet të vazhdojmë bashkëpunimin me njësitë vendore për rritjen e eventeve dhe aktiviteteve kulturore. I kemi kërkuar Drejtorisë së Tatim-Taksave Fier, të na publikojë të ardhurat e biznesit fierak me qëllim lehtësimin e procedurës së paisjes së tyre me vizë italiane," përfundon Strozzi./ch///n.m/