Kandidatët Për Gjykatën E Lartë, Javën E Ardhshme Në Komisionin E Ligjeve
TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Tre kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar në dekretet e emërimit nga Presidenti i Republikës, do t'i nënshtrohen javën e ardhshme seancave dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve.
Kalendari i punimeve të këtij komisioni ka përcaktuar një seancë të veçantë për secilin kandidat, duke filluar nga data 21 qershor me kandidatin Medi Bici, për të vijuar më 22 qershor me Sokol Çomon dhe për të përfunduar më 23 qershor me kandidatin Vexhi Muçmataj.
Diskutimi i dekreteve do të bëhet pas plotësimit të dosjes së secilit kandidat me informacione nga disa institucione që janë Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Dhoma e Avokatisë.
Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të depozituara për shqyrtim në parlament më 25 maj, do të programohen për t'u votuar në seancë plenare, sapo të jenë gati.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, më 25 janar 2010 nisi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 vendet në Gjykatën e Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Ndërkohë, numri i atyre që konkurruan për këto poste ishte rreth 50-60 individë.
Presidenti i Republikës për mbarëvatjen e procesit përzgjedhës të kandidaturave ngriti një grup këshillimor, për të mos u përsëritur më rasti i vitit 2008 kur pesë kandidaturat e propozuara prej tij për vendet vakante në Gjykatën e Lartë u rrëzuan në parlament me shumicë votash, më 16 qershor 2008. Maxhoranca në atë kohë u deklarua se Kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë lidhur me kandidaturat që do t'i përcillte Kuvendit.
Më 13 maj 2010, pas konsultimeve me grupin këshillimor, Kreu i shtetit i përcolli Kuvendit për shqyrtim tre kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; përkatësisht Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta. Ndërsa dy të parët morën pëlqimin e Kuvendit në seancën plenare të 20 majit, kandidati i fundit nuk u miratua nga maxhoranca. Përfaqësues të saj e komentuan rrëzimin e Kostës në parlament me argumentin se "ishte kandidaturë politike që i kishte shërbyer regjimit të kaluar"./s.s./