Korçë: Trajnim Kundër Dhunës Në Familje Dhe Asaj Me Bazë Gjinore
KORÇË, 15 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Pajisja e mjekëve të familjes me njohuri për legjislacionin në fuqi për ndalimin e dhunës në familje, reflektimin në shoqëri dhe dënimin e të gjitha rasteve të ushtrimit të dhunës gjinore, ishin në qendër të trajnimit "Ndal dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore", organizuar nga ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Publik të Korçës me mjekë të familjes dhe personelin e qendrave shëndetësore të rrethit.
Mjekë dhe punonjës socialë të ministrisë së Shëndetësisë zhvilluan tema teorike dhe praktike mbi debistimin e dhunës gjinore dhe dhunës në familje, mbi pasojat e dhunës për shendetin riprodhues, pasojat e dhunës për fëmijët, etj.
Pas dy ditësh trajnim për këtë çështje, mjekët që do të fitojnë kreditet e përcaktuara do të pajisen me çertefikata specializimi për debistimin e dhunës gjinore dhe asaj në familje.
Ministria e Shëndetësisë po kryen një sërë trajnimesh për ngritjen profesionale të mjekëve të familjes, me qëllim aftësimin e tyre për t'iu përgjigjur kërkesave që shtron koha në diagnostikimin dhe mjekimin e pacientëve dhe në edukimin e këtij personeli për parandalimin e dhunës gjinore./ch/