English

Kosove - Osbe: Rastet E Krimeve Te Luftes Kerkojne Trajtim Me Prioritet

PRISHTINE, 15 Qershor/ATSH-B. Jashari/. - Rastet e krimeve të luftës në Kosovë duhet të trajtohen me prioritet, ndërsa për këtë qëllim nevojiten resurse të mjaftueshme dhe mbrojtje të dëshmitarëve, thotë raporti i OSBE-së i publikuar sot. Raporti bazohet në monitorimin që OSBE u ka bërë rasteve të krimeve te luftës nga qershori i vitit 1999 deri në dhjetor të vitit 2009. Raporti thotë që rasteve të krimeve të luftës nuk iu është dhënë prioritet, nuk janë ndarë resurse të mjaftueshme për t'u marrë me rastet dhe se programet për mbrojtje të dëshmitarëve kanë nevojë për permiresime të mëtejshme. "Të gjitha komunitetet në Kosovë kanë qenë të dëmtuara dhe asnjë nuk do të jetë në gjendje të mbyllë këtë kapitull të vështirë në jetën e tyre derisa rastet e mbetura të luftës të adresohen si duhet nga sistemi i drejtësisë. Ky është një nga testet më vendimtare me të cilin mund të përballet sistemi i drejtësisë," tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Përveç kësaj, raporti përmend se mungesa e vazhdimësisë në personelin gjyqësor, bashkëpunimi i pamjaftueshëm rajonal në procesimin e rasteve të krimeve të luftës dhe numri i madh të autoriteteve dhe institucioneve të angazhuara në këtë fushë, kontribuojnë për vonesat e tepruara në gjykimet e krimeve të luftës. Misioni i OSBE-së në Kosovë është mandatuar për promovimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pasi një sistem efikas i drejtësisë që do të sillte rezultate të drejta për rastet e mbetura të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm për arritjen e standardeve demokratike. /a.ke/
KOMENTE