English

Kriza/ Greqi - Mjekët Paralajmërojnë, Spitalet Rrezikojnë Kolapsin

ATHINË, 15 qershor /ATSH-ANSA/ - Mjekët grekë kanë denoncuar sot rrezikun për kolapsin e spitaleve publike për shkak të krizës ekonomike që i ka nxitur sipërmarrjet të reduktojnë gati në zero furnizimet me medikamente duke kërkuar pagesën e borxheve të prapambetura. Mjekët paralajmëruan se në ditët në vijim mund të shënohen raste vdekjesh për shkak të pamundësisë për të garantuar shërbimet thelbësore. Qeveria ka bërë një apel, deri tani pa asnjë përgjigje pozitive, për përgjegjësinë e shoqërive farmaceutike që të vazhdojnë t'i furnizojnë spitalet në pritje për të gjetur një zgjidhje për borxhet prej 5.2 miliardë euro. "Është e qartë që nëse situata nuk zhbllokohet, do të ketë humbje jetësh njerëzore", paralajmëroi Dimitris Varnavas, presidenti i Federatës së mjekëve "Oenge". Varnavas, cituar nga mediat, pohon se "spitalet nuk mund të ofrojnë shërbimet minimale për shkak të mungesës së produkteve bazë si dorashkat dhe mjeteve kirurgjikale". Sipas mediave, në spitalet e Athinës dhe Selanikut, mjekët nuk kanë mundur të kryejnë disa operacione kirurgjikale për shkak të mungesës së mjeteve thelbësore. Gjatë ditëve të fundit furnizuesit kanë dorëzuar vetëm një pjesë të materialeve për të cilat kanë nevojë spitalet, duke protestuar kundër asaj që ata e cilësojnë si "paaftësia e qeverisë për të gjetur një marrëveshje për pagimin e borxheve", një pjesë e të cilave janë prapambetur prej vitesh. /e.v/
KOMENTE