Kukës: Hetimet Për Zhdukjen E 6-Vjeçares, Pyeten Të Afërmit E Saj
KUKËS, 15 qershor /ATSH-R. Hoxha/ - Hetimet për 6 vjeçaren Bleona Mata nga Zapodi i Kukësit, e zhdukur në rrethana misterioze rreth tre javë më parë, vazhdojnë në intesivisht; bëjnë të ditur burime të policisë lokale. Pas marrjes në pyetje të hallës së vajzës dhe një shoqes së saj, me kërkesë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë do të merret në pyetje dhe vajza e tezes së 6 vjeçares; bëjnë të ditur të njëjtat burime.
"Sot me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të rënda kemi dërguar në Tiranë dhe vajzën e tezes së saj nga Lojmja, identitetin e së cilës nuk mund ta bëjmë të ditur për momentin", tha nëndrejtori i policisë Kukësit, Xhaferr Elezi.
Vogëlushja Bleona Mata u zhduk në rrethana misterioze në 22 maj, ndërsa kishte shkuar në kullotë së bashku me hallën e saj.
Kërkimet dhe hetimet për vazjën u shtrinë edhe në Kosovë e Maqedoni, pasi Zapodi është një fshat kufitar.
Pak ditë më parë Alketa Mata, halla e vajzës, dhe një shoqja e saj u morën në pyetje nga prokurorë të Krimeve të Rënda, në Tiranë. Rreth deponimeve të tyre nuk dihet gjë.
Gjyshi i vazjës së zhdukur Zenel Mata, tha të martën për ATSH-në se ai ka pasur një telefonatë anonime se Bleona është shëndoshë. Policia nuk e konfirmon këtë pohim të gjyshit të vajzës së zhdukur.
Policia ka vendosur një shpërblim 3 milionë lekë për personin që jep informacion të saktë për vendodhjen e Bleona Matës, duke ruajtur anonimatin./ch/