English

Lehtesimi I Procedurave Fiskale Do Te Nxise Shkembimet Tregtare Mes Shqiperise Dhe Vendeve Te Efta-S

-Komisioni i Veprimtarive Prodhuese diskuton në parim projektligjin për MTL me vendet e EFTA-s- TIRANE, 15 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi të martën projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të EFTA-s dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj". Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, duke relatuar mbi këtë projektligj, nënvizoi pikat që përcaktojnë mënyrën se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë. Sipas tij, projektligji krijon një bazë ligjore për trajtimin tatimor të individëve, shqiptarë apo të vendeve të EFTA-s, që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera që parashikohen ne juridiksionin tatimor të dy vendeve, duke thjeshtuar dhe qartësuar saktë proçedurat fiskale, me qëllim nxitjen e aktivitetit tregtar mes këtyre vendeve. Duke u ndalur në rëndësinë e marrëveshjeve tregtare për sektorin e bujqësisë, Gjana theksoi rëndësinë që merr për vendin tonë miratimi i lehtësirave fiskale për eksport-importet e produkteve bujqësore. Si një vend me prioritet fushën e bujqësisë, tha ai, miratimi i marrëveshjeve për bujqësisë mes Shqipërisë dhe vendeve të EFTA-s do të nxisë prodhimin bujqësor vendas dhe do të rrisë të ardhurat për fermerin shqiptar./s.s./
KOMENTE