Meta: Liberalizimi I Vizave, Vlerësim Për Anëtarësim Në Be
TIRANË, 15 Qershor/ATSH- A. Gegvataj/- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta duke theksuar rëndësinë e perspektivës evropiane të rajonit, vlerësoi proçesin e liberalizimit të vizave, si një histori suksesi të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian gjatë takimit që u mbajt sot në Budva (Mali i Zi) me ministrat e Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ).
Tema qendrore e takimit të ministrave të Jashtëm të NEQ-it ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal në kontekstin e integrimit evropian.
Burime të zyrës së shtypit në ministrinë e Jashtme bëjnë të ditur se në fjalën e vet, Meta inkurajoi frymën bashkëpunuese të NEQ-it për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve anëtare përmes projekteve zhvillimore me interes të përbashkët dhe impakt rajonal në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.
"Falë këtij bashkëpunimi, ne kemi arritur që nëpërmjet zbatimit të një numri të madh projektesh që kanë përfshirë sektorë të ndryshëm, të përçojmë modelin pozitiv edhe në nismat e tjera rajonale si dhe të kontribuojmë në drejtim të avancimit të axhendës së integrimit evropian", theksoi Meta.
Zv/kryeministri Meta ritheksoi nevojën për përfshirjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet rajonale, me synimin për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të saj me vendet e rajonit.
Duke përshëndetur propozimin e KE-së për liberalizmin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, ministri i Jashtëm Ilir Meta konfirmoi përkushtimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e kërkesave të mbetura.
"Liberalizimi i vizave përbën sigurisht një vlerë të shtuar të anëtarësimit në BE, kjo pasi reformat e ndërmarra, krijojnë një bazë të shëndoshë për përparim të mëtejshëm, veçanërisht në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe konsolidimin e shtetit ligjor" shtoi ai.
Në përfundim të takimit të NEQ-it, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare nënshkruan dokumentin me rekomandimet e paraqitura nga Grupi Ndërkombëtar i Ekspertëve.
Rekomandimet e miratuara synojnë që nisma më e vjetër shumëpalëshe në Evropën Qendrore dhe Lindore të vazhdojë të transformohet për t'iu përshtatur zhvillimeve të sotme dhe për të realizuar sa më mirë misionin në drejtim të proceseve integruese në strukturat evropiane./n.m/