English

Meta në Budva: NEQ, bashkë drejt Integrimit në BE

Budva, 15 qershor, NOA – Bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Europës Qendrore në kuadër të integrimit europian ishte në qendër të takimit të ministrave të Jashtëm të këtij rajoni (NEQ) i zhvilluar në Budva të Malit të Zi.

Zëvendëskryeministri shqiptar dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta përfaqësoi Shqipërinë në këtë ministerial, ku Meta vlerësoi progresin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave integruese, ku u ndal veçanërisht në rëndësinë e perspektivës europiane të rajonit, me lajtmotiv procesin e liberalizimit të vizave, të cilën Meta e quajti “një histori suksesi të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, duke u frymëzuar pikërisht nga përfundimet e samitit të Sarajevës.

“Angazhimi i BE-së për të mbështetur pa asnjë rezervë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmuar edhe në Deklaratën e Sarajevës, na frymëzon më tepër për të vazhduar punën tonë në drejtim të realizimit dhe zbatimit të kritereve të vendosura nga institucionet evropiane”, ndaj deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar në samitit e NEQ, “dëshiroj të theksoj se mesazhi pozitiv i përcjellë në Sarajevë duhet të kthehet në një udhërrëfyes në drejtim të forcimit të marrëdhënieve midis fqinjëve të rajonit si dhe të pajtimit dhe zgjidhjes së çështjeve dypalëshe nëpërmjet frymës së mirëkuptimit dhe vullnetit të mirë.”

Zëvendëskryeministri Meta vuri në dukje se “ashtu siç e tregon më së miri slogani i këtij Ministeriali, integrimi evropian i gjysmës së vendeve anëtare të Nismës sonë është sfida kryesore aktuale e saj. Zgjerimi i BE-së drejt Evropës Juglindore përbën dëshmi të qartë të vullnetit dhe angazhimit të fuqishëm të BE-së, për të vazhduar me të njëjtën vendosmëri përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kontekst, do të doja të falënderoja vendet anëtare të Nismës sonë për mbështetjen e tyre në këtë proces integrimi dhe në mënyrë të veçantë, mikun tim, Ministrin Frattini, për përkushtimin dhe angazhimin e spikatur në mbështetjen të axhendës evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimorë, çka u evidentua edhe në Takimin e Sarajevës.”

Meta inkurajoi frymën bashkëpunuese të Nismës për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve anëtare nëpërmjet projekteve zhvillimore me interes të përbashkët dhe me impakt rajonal në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ministri i Jashtëm, Meta ritheksoi nevojën për përfshirjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet rajonale, me synimin për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të saj me vendet e rajonit.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NEQ nënshkruan në fund të takimit dokumentin me rekomandimet e paraqitura nga Grupi Ndërkombëtar i Ekspertëve. Rekomandimet e miratuara synojnë që NEQ, Nisma më e vjetër shumëpalëshe në Evropën Qendrore dhe Lindore, të vazhdojë të transformohet për t'iu përshtatur zhvillimeve të sotme dhe për të realizuar sa më mirë misionin e saj në drejtim të proceseve integruese në strukturat evropiane. Një tjetër element i rëndësishëm i rekomandimeve ishte edhe institucionalizimi i marrëdhënieve të NEQ me BE, duke planifikuar edhe hapjen e një zyre përfaqësuese të kësaj Nisme në Bruksel.

mit/NOA
KOMENTE