English

Pasojat afatgjata të ndotjes në Gjirin e Meksikës nuk dihen

Luiziana, 15 Qershor, NOA - Një ndotje e tillë me naftë, si kjo në Gjirin e Meksikës, deri tani nuk kishte ndodhur. Në thellësi, nafta shpërbëhet shumë më me vështirësi se në sipërfaqe. Nafta tani po rëndon jo vetëm ambientin.

Sa naftë po del nga e çara e shpimit në Deepuater-Horizon, kjo ka javë që është bërë temë debatesh të ashpra.

Që nga data 10 qershor është bërë një parashikim i ri, ku sipas tij, çdo ditë nga e çara e shpimit në Gjirin e Meksikës rrjedhin deri 6.4 milionë litra naftë dhe kjo është e barabartë me të paktën dyfishin e asaj që mendohej deri tani.

"Aktualisht ne ndeshemi me efekte shumë dramatike: kjo katastrofë nafte është një nga më të mëdhatë, që kemi përjetuar ndonjëherë dhe ajo dëmton të gjitha ekosistemet: që nga ambjenti i drejtpërdrejtë pranë çarjes së shpimit, ujin që nga 50 m deri 1000 m thellësi, që nga sipërfaqja e detit deri në brigje. Atje nga nafta janë ndotur edhe bari i detit, plazhet dhe gjithnjë e më shumë edhe zonat me lagështirë dhe pyjet e mangrovave".

Carl Gustaf Lundin është drejtues i sektorit të detit në IUCN, një organizatë e pavarur ambjentaliste, me seli në Gland të Zvicrës.

“Nafta, - thotë Lundini, - noton jo vetëm në sipërfaqe. Në zona të thella të ujit janë krijuar re, të cilat përmbajnë pjesëza shumë të vogla nafte. Vërtet që përmbajtja e naftës atje është relativisht e ulët, por askush nuk mund të parashikojë, se si do të reagojnë gjallesat e thellësive detare ndaj këtij fenomeni”

"Një ndotje me naftë në thellësi të tilla deri tani ka qenë e panjohur. Prandaj është shumë e vështirë që t'i parashikosh pasojat. Por ne e dimë se nafta në thellësi të tilla shpërbëhet shumë më me vështirësi, se sa në sipërfaqen e detit. Pra pasojat do të jenë shumë të këqija për një kohë të gjatë", shton ai.

Problem edhe kimikatet që luftojnë ndotjen

Veç kësaj, Lundinin dhe koleget e tij i shqetësojnë edhe sasitë gjigante të agjentëve dispersivë. Përzierjet me lëndë dispersive përdoren për të luftuar murtajën e naftës. Me këto kimikate synohet që të shpërndahet qilimi i naftës dhe të mbrohen ekosistemet në brigje - por këto lëndë janë tepër helmuese dhe pasojat e tyre ndaj ekosistemeve të ndryshme ende nuk parashikohen, thotë Ron Kendall nga Universiteti Teknik i Texas-it, në Lubbock:

"Kjo prek hapësirat e ndryshme të jetesës në Gjirin e Meksikës. Në këtë mënyrë, helmet përfundojnë kudo, para së gjithash të ashtuquajturat hidrokarbure policiklike aromatike, shkurt: PAH. Ato janë helmuese për bimët, kafshët dhe njeriun. Ato dëmtojnë para së gjithash mëlçinë dhe veshkat".

Zonat detare, drejt të cilave po avancon qilimi i naftës janë mbyllur për peshkimin - një humbje e paparashikueshme kjo për peshkatarët. Dhe shumë nga njerëzit, që punojnë në platforma të tjera shpimi ofshore kanë humbur vendin e punës. Qeveria e ka ndërprerë përkohësisht punën në këto platforma. Për njerëzit kjo do të jetë diçka që si ka ardhur, ashtu edhe do të ikë, për këtë Gustaf Lundin është e bindur. Edhe natyra dikur do të rimëkëmbet. Por për momentin, mijëra zogj të ndotur me naftë dhe lloje të tjera kafshësh tregojnë një pamje krejt tjetër.

DVelle

KOMENTE