English

Provimi I Letërsisë- Ava: Këtë Vit Niveli I Provimeve Më I Lartë

TIRANË, 15 Qershor/ATSH/.- Vlerësuesit e provimeve të shpërndara në tre qendrat e rretheve dhe në Tiranë tashmë kanë përfunduar korrigjimin e të gjitha testeve të provimit të parë të detyruar që u zhvillua më 1 qershor në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Burime nga Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) thanë për ATSH-në se rezultatet e arritura nga secili maturant në provimin e parë të maturës 2010 do të publikohen gjatë kësaj jave. Aktualisht, specialistët pranë AVA-s po merren me procesin e zbërthimit të barkorit me emrin e çdo maturanti. Me hedhjen e pikëve të marra nga maturantët, krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korespondencë pikët. Specialistët e AVA-s, në bazë të të dhënave që disponojnë nga mjediset ku janë zhvilluar provimet, po krijojnë një listë ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit së bashku me pikët e arritura. Lidhur me rezultatet e fituara në provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, AVA bën të ditur se këtë vit niveli i njohurive ka dalë më i mirë, krahasuar me vitin e kaluar. Përgjithësisht nxënësit pjesëmarrës kanë marrë nota të mira dhe të nivelit mesatar. Skema e re e vlerësimit të dyfishtë gjatë këtij viti do të eliminojë procedurën e ankimit, çka do të thotë se maturantët nuk do të kenë më mundësi që të kërkojnë rishikimin e vlerësimit të marrë. Por, ata do të kenë të drejtë që të shohin një kopje të testit të vlerësuar, por pa të drejtë ankimimi. Ekspertë pohojnë se kjo procedurë gjatë viteve të shkuara ka sjellë vetëm vonesa në realizimin e procedurave të parashikuara nga rregullorja e maturës./e.gj//a.ke/
KOMENTE