English

Qeveria Britanike E Angazhuar Për Zgjerimin E Be-Së Me Vendet E Ballkanit Perendimor

- Deklaron Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcllwham - TIRANË, 15 Qershor/ATSH- A. Gegvataj/- Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcllwham, konfirmoi të martën qëndrimin e qeverisë britanike për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perendimor. "Qeveria e re britanike e ka bërë shumë të qartë se është e angazhuar për zgjerimin dhe sfida jonë është t'i shtrijmë përfitimet e BE-së edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit", tha Ambasadorja e Britanisë së Madhe në debatin e hapur "Si e shohin qytetaret e Ballkanit Perendimor integrimin ne BE dhe si do t'i përjetojne ata ndryshimet që ai do të sjellë", organizuar nga Ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës. Sipas saj, "një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe reformator është në të mirë të Europës, në të mirë të prosperitetit dhe sigurisë sonë". Duke vënë në dukje se ky është vetëm një aspekt i rëndësishëm i angazhimit britanik në Shqipëri, Ambasadorja Mcllwham nënvizoi se "që ky projekt zgjerimi të funksionojë me të vërtetë, siç ndodhi në Evropën Qëndrore, ne vende si Polonia dhe Republika Çeke në fund të viteve 90-të, duhet të stimulojë jo vetëm imagjinatën e politikanëve, por kryesisht të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht të të rinjve". Gjatë këtij takimi u prezantua edhe një projekt tre vjeçar bashkëpunimi i shtatë organizatave të artit, të realizuar nëpër vendet e Ballkanit Perendimor që presin të bëhen pjesë e BE-se, i quajtur "Lobingu Kulturor", ku janë të përfshira fotografi dhe materiale video. Projekti ka si qëllim ngritjen e një "arkive aktive" të kujtesës kulturore në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë gjatë këtij momenti tranzicioni, duke dokumentuar vizualisht dhe me zë atë çka qytetarët mendojnë se do të ndryshojë ose zhduket kur vendi i tyre t'i bashkohet BE. /s.s./
KOMENTE