Tiranë, 15 qershor, NOA, Update – Një ditë pasi Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në mbledhjen e mbajtur dje në Luksemburg, doli në përfundimin se Qeveria Shqiptare dhe Opozita duhet të gjejnë një zgjidhje për krizën politike mes tyre, një zgjidhje transparente pa shkelur kushtetutën e vendit, lideri i Partisë Socialiste Edi Rama i falënderoi diplomatët e BE-së, duke i shprehur gatishmërinë e partisë së tij zgjidhjen e krizës përmes një marrëveshjeje të negociuar dhe kompromis i bazuar tërësisht në të drejtën e sovranit popull për të zgjedhur lirisht përmes votës së lirë, ata që do ta qeverisin.
“Falenderoj në emër të opozitës të gjithë shtetet anëtare, përfaqësuesit e të cilëve në këtë moment vështirësie kolosale për ekonominë e eurozonës gjetën kohën e mundësinë për të biseduar edhe mbi krizën shqiptare, një fakt që nuk është asgjë tjetër, veçse shprehja më kuptimplotë e nivelit të lartë të shqetësimit që kriza shqiptare ka arritur në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi lideri i socialistëve në një konferencë të mbajtur sot.
Kryetari i Partisë Socialiste theksoi në vijim se “ky është një rast i duhur për të shprehur sot sërish, gatishmërinë e Partisë Socialiste e të Opozitës së bashkuar për zgjidhjen e krizës politike përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar dhe kompromisi, që ngrihet mbi parimin më të rëndësishëm për çdo demokraci funksionale, të drejtën e një populli për të patur zgjedhje të lira e të ndershme, e cila është e pandashme nga e drejta e zgjedhësve për transparencën e procesit zgjedhor”.
Rishtas Rama apeloi ndaj Berishës, për krizën e shumanshme që po kalon Shqipëria, që po e rrënon vendin dita ditës, jo vetëm institucionalisht por edhe ekonomikisht, ndaj sipas Ramës duhet medoemos zgjidhja e kësaj krize për moszvarritjen e mëtejshme të liberalizimit të vizave dhe mosdështimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
“Mos i mbaj vizat, daljen nga kriza ekonomike dhe vetë rrugën europiane të integrimit, peng të kutive të korrupsionit elektoral, që veç korrupsionit, pjellë e të gënjeshtrës së madhe të zgjedhjeve të shkuara, që veç gënjeshtra prodhon me sasi përditë e më të mëdha duke i lënë shqiptarët pa zgjidhje”, deklaroi kryesocialisti Rama.
Duke i quajtur fjalë boshe ato që deklaron kryeministri Berisha, Rama i bëri me dije kreut të qeverisë, se “me lugë bosh, e me fjalë më boshe se luga, nuk mund t’u ushqesh shqiptarëve as ëndrrat e as familjen e rraskapitur nga papunësimi e varfërimi i përditshëm”.
“Mjaft kohë kanë humbur Shqipëria e shqiptarët duke mbetur të fundit në rajon. Mos ji pengu i atyre kutive të së shkuarës, që mban peng ngjarjet e zgjidhjet që presin qytetarët e këtij vendi për të ardhmen”, ndaj bëri thirrje Rama, “Hap kutitë, liro vizat dhe çliro ekonominë”.
Duke dashur t’i mëshojë transparencës së zgjedhjeve të qershorit, thembra e akilit në krizën mes mazhorancës dhe opozitës, lideri i Partisë Socialiste, rishtas i tha kryeministrit Berisha të bëjnë transparencë e të mos i friket të vërtetës, që sipas Ramës, tashmë e njohin të gjithë.
“Duke e mbajtur të vërtetën mbyllur në kuti, mban mbyllur vetëm rrugën e të ardhmes, jo historinë e së shkuarës, e cila duhet hetuar, vetëm që të mos përsëritet, pasi përmbajtja e saj tanimë ka dalë nga kutia e ka marrë dhenë, dhe është bërë shqetësim i mbarë botës demokratike”, shtoi Rama.
Pas deklaratës për shtyp Kryetari i Partisë Socialiste iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, njëra prej të cilave ishte edhe mbi lajmin se Rama me Berishën do të ritakohen në Strasburg, për të arritur një marrëveshje nesër.
“Deri në këtë çast që flasim nuk kam asnjë konfirmim të kësaj natyre, por, edhe në çast që flasim ka një përpjekje intensive për t’i dhënë fund krizës dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes”, iu përgjigj Rama interesimit të gazetarëve mbi lajmin e publikuar dje.
Të jeni të sigurtë vijoi më tej Rama, se “bëhet fjalë për një zgjidhje kompromisi, që garanton zgjidhjen me kompromisin e palëve, që do të thotë se kërkohet me këmbëngulje, me durim e me pasion politik, një draft i përbashkët.”
“Ne kërkojmë zgjidhje për problemet dramatike që ka vendi sot, vijoi më tej lideri socialist, “zgjidhje që sigurisht i kërkojmë përmes shprehjes së vullnetit politik në procesin e një marrëveshjeje kompromisi, që i hap rrugë transparencës si prerogativa e të gjitha atyre që vijnë pas, në rrugën e përpalljes me krizën e shumëanshme e sfidën e gjithanshme”.
Rama ripërsëriti për gazetarët se “apeli i djeshëm ishte i qartë, kërkohet zgjidhje për krizën. Ndërkohë, që në Tiranë, kryeministri vazhdon të mohojë që ka krizë. Këtu ka një hendek shumë të madh dhe këtë hendek ne po kontribuojmë përditë intensivisht, që ta mbyllim dhe ta përputhim kryeministrin me realitetin e vendit të tij, që është një realitet tërësisht i ndryshëm nga ai i lugës bosh dhe i fjalëve edhe më boshe, me të cilat Sali Berisha kërkon përditë e më kot të ushqejë ëndrrat dhe familjet e rraskapitura nga papunësimi dhe varfërimi i përditshëm.”
Por, për liderin socialist dhe mbarë opozitën, zgjidhja e vetme e krizës është pikërisht transparenca e zgjedhjeve.
Ndaj Rama ritheksoi rishtas se “qasja jonë është publike, transparente dhe e qëndrueshme për një zgjidhje që është triumfi i interesit publik dhe jo fitore e një pale mbi një palë tjetër; një zgjidhje që është garanci për të gjithë qytetarët dhe jo alibi për secilën nga palët; një zgjidhje që i duhet sot Shqipërisë, që sot Shqipëria të çlirohet më në fund nga kufijtë ku mbetet e mbyllur si e fundmja në rajon”, dhe kjo sipas kryesocialistit, “për faqen e zezë të një politike të vjetër që vazhdon sot e gjithë ditën ta mbajë atë peng të pengjeve të veta.”
Lideri socialist duke e shënjestruar krizën si të tejzgjatur, ai nënvizoi se zgjidhja e saj në fakt duhet të kishte ardhur me kohë dhe, gjithë sipas Ramës, “e sotmja është koha e një krize që kërcënon ta marrë vendin përpara në humnerën e një inercie të rrezikshme të një politike tërësore të dëmshme, po veçanërisht të një politike ekonomike shkatërruese, e cila e ka burimin tek ethet e pushtetin që qëndron mbi kutitë e mbyllura.”
mit/NOA