English

Raport - Unhcr: Në Vitin 2009 43.3 Milionë Refugjatë Në Të Gjithë Botën

- Shifra më e lartë që prej viteve nëntëdhjetë - ROMË, 14 qershor /ATSH-ANSA/ - Numri i refugjatëve në të gjithë botën vazhdon të rritet duke arritur nivelin më të lartë që prej mesit të viteve nëntëdhjetë. Në fakt janë 43.3 milionë persona të cilët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe persekutimeve, sipas UNHCR-së, organi i lartë i OKB-së për refugjatët që në raportin e tij të fundit pasqyron një tendencë në rritje. Dhe njëkohësisht vihet re numri më i ulët në këto 20 vitet e fundit i refugjatëve që kthehen në shtëpitë e tyre. Sipas raportit "Global Trends 2009" vetëm 251 mijë refugjatë janë kthyer vitin e kaluar në shtëpitë e tyre, krahasuar me një milionë persona sipas mesatares vjetore të dhjetë viteve të fundit. Një raport që e sheh Italinë, një nga vendet gjeografikisht të preferuara për emigracionin ilegal, me shifra shumë të ulëta në frontin e refugjatëve krahasuar me vende të tjera evropiane: 55 mijë (një çdo një mijë banorë) kundrejt 600 mijë të Gjermanisë (7 për një mijë), me 270 mijë të Mbretërisë së Bashkuara (5 për një mijë), me 200 mijë të Francës dhe 80 mijtë e Belgjikës. Një fenomen që sipas UNHCR-së është i lidhur me rregullat e reja në politikën italiane të imigracionit, veçanërisht për kontrollet e ashpra në Kanalin e Sicilisë nga roja bregdetare italiane dhe ajo libiane. Ndërsa për fëmijët UNHCR shpall alarmin në Afganistan, ku vitin e kaluar 6 mijë fëmijë janë detyruar të largohen nga vendi. "Nuk ka sinjale që të japin shpresat për zgjidhjen e konflikteve kryesore aktuale në botë, si ai në Afganistan, Somali dhe në Republikën Demokratike të Kongos", shpjegoi komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Antonio Guterres, duke theksuar se "viti 2009 nuk ishte një vit pozitiv për riatdhesimet vullnetare dhe ishte më i keqi në njëzet vitet e fundit". Për sa i përket risistemimit - një mekanizëm nëpërmjet refugjatët, kryesisht ata në një vend në zhvillim, transferohen në një shtet tjetër, përgjithësisht në një vend të industrializuar - në vitin 2009 UNHCR ka propozuar risistemimin për 128 mijë persona, numri më i lartë në 16 vitet e fundit. Në fund të vitit 2009, 112 400 persona u pranuan për risistemim në 19 vende, ndër të cilat SHBA-ja (79900), Kanadaja (12500), Australia (11100), Gjermania (2100), Suedia (1900) dhe Norvegjia (1400). Kryesisht të risistemuarit ishin refugjatë nga Birmania (24800), Iraku (23000), Butani (17500), Somalia (5500), Eritrea (2500) dhe Republika Demokratike e Kongos (2500). Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të paktën 1.3 milionë refugjatë morën nënshtetësinë e vendit që i priti, më shumë se gjysma e tyre në Shtetet e Bashkuara. /e.v/
KOMENTE