Tiranë, 15 qershor, NOA/ Blerina Ahmetaj - Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar sot për mediat se në të gjithë vendin do të funksionojnë vetëm 12 spitale të cilat do të jenë të përqendruara në çdo qark të vendit.
Sipas tij, spitalet ekzistuese në rrethe të tjera të vendit do të funksionojnë si qendra shëndetësore. Vasili ka theksuar se thelbi i reformës shëndetësore që në fillimet e lançimit të saj ka qenë rajonalizimi i sistemit shëndetësor që do të thotë se shërbimi më i imirë, i specializuar me aparatura e mjekë të jetë i përqendruar në qendër të qarqeve, ndërsa spitalet në rrethe të funksionojnë si qendra pritëse të pacientëve për ti orientuar më pas në spitalin rajonal”, tha Vasili.
Kjo deklaratë e ministrit vjen disa javë pas deklaratës së drejtoreshës së ISKSH sipas së cilës vetëm 29 për qind e spitaleve në nivel bashkie funksionojnë si të tilla.
Drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana theksoi atëherë se efiçenca e tyre lidhet me treguesin e shfrytëzimit të shtratit i cili për spitalet rajonale është 47 për qind në shkallë vendit ndërsa në nivel spitali bashkiak, 29 %, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ku është rreth 73%.
Në një periudhë kohore prej 9 muajsh, që nga nisja e detyrës si ministër i Shëndetësisë, ministri Vasili ka garantuar shqiptarët se sistemi shëndetësor do të vijojë të ndryshojë drejt standardeve evropiane.
Gjatë analizës së punës së tij si ministër, Vasili u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë problemet në sistemin shëndetësor, si mitmarrja e korrupsioni për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj tyre.
b.a/NOA