Reforma Në Shëndetësi-Zbatimi I Sistemit Të Referimit Dhe Ulja E Informalitetit, Rezultate Pozitive
- Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, analizon punën 9 mujore të dikasterit që drejton -
TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Pas 9 muajsh të nisjes se reformës intensive në sistemin shëndetësor shqiptar, ka disa drejtime të punës të cilat kanë dhënë përgjigje pozitive e të qarta, sikurse zbatimi me rigorozitet i sistemit të referimit, që ka sjellë njëherësh uljen e informalitetit.
Gjatë një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, bëri të ditur sot se "reforma në shëndetësi u drejtua në radhë të parë drejt një plage shumë të vjetër të sistemit, që blatonte në dy dekada dhe kishte të bënte me informalitetin dhe korrupsionin, përgjithësisht të përhapur e të kritikuar nga opinioni publik, media, por dhe nga qytetarët".
Në themel të kësaj reforme intensive, sipas tij, ka qenë sistemi i referimit të pacientit, apo rruga ku kalon një pacient në shërbimin shëndetësor për të marrë ndihmën që i duhet për të zgjidhur sëmundjen e tij. Kjo reformë është ndërmarrë në partneritet të plotë dhe me mbështetjen e mjekëve, qytetarëve, si dhe Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
"Sot, në shumicën dërrmuese, çdo qytetar shqiptar njeh të drejtat e tij", theksoi Vasili, duke shtuar se "kjo marrëdhënie informale e dhënies së parave në dorë është minimizuar e pothuajse nuk ekziston në shumicën dërrmuese të strukturave shëndetësore shqiptare".
Tashmë, sipas tij, kjo marrëdhënie është e qartë dhe konkrete. "Qytetarët, të cilët sigurohen apo që shteti u ka garantuar ndihmë mjekësore pa pagesë, në bazë të statusit të tyre, qofshin pensionistë, fëmijë, nuk paguajnë në sistemin shëndetësor dhe nga ana tjetër ata që refuzojnë të ndërtojnë një marrëdhënie legale, nuk paguajnë sigurime shëndetësore, të cilët e refuzojnë sistemin shëndetësor publik do të përballen me pagesat e ligjshme të sistemit tashmë të aprovuara", nënvizoi ministri i Shëndetësisë.
Kjo praktikë, sipas tij, i jep fund informalitetit dhe marrjes së shërbimeve shëndetësore me para nën dorë. "Rezultatet janë të qarta dhe qytetari di se çfarë i përket në sistem", tha Vasili. Me këtë rast, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos jenë ata që mbajnë gjallë një marrëdhënie korruptive, por të zbatojnë rregullat e qarta të vendosura prej disa muajsh që eleminojnë këtë marrëdhënie informale dhe korruptive.
"Ideja shumë e shtrembër që mjeku nuk më kërkoi para, megjithatë unë diçka i dhashë, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë", tha Vasili. "Ne jemi këtu për të garantuar një një marrëdhënie të qartë dhe transparente; asgjë që nuk është e detyruar të paguhet nga qytetari nuk do të paguhet, nëse do të paguhet diçka ajo është e rregullt zyrtare dhe me tarifa të afishuara në mënyrë të qartë e publike", nënvizoi më tej ai.
Informaliteti në shëndetësi ka marrë një goditje nga më të fortat gjatë 20 viteve të sistemit. Të dhënat tregojnë se ankesat për mitmarrje tashmë janë në minimumet e tyre, krahasuar me ato që u konstatuan muaj më parë nga ankesat, letrat apo nga komunikimet me qytetarët. /a.ke/