Reportazh/Nëpër Krojet Turistike Të Kukësit
KUKËS, 15 Qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Dielli përcëllon këtë mes qershori edhe në grykën e ngushtë të Vanave që ndan dy nga malet më të larta të Shqipërisë, Gjalicën (2484) dhe Koretnikun (2383). Disa punëtorë vijojnë punën për ndërtimin e rrugës së re Kukës- Shishtavec, 37 kilometra e gjatë që do të kalojë përmes kësaj gryke.
Ndërtimi i rrugës nisi një vit më parë dhe afati i përfundimit të saj është 36 muaj. Behudin Murati, pronar i një lokali në Gurin e Mëngjesit, një nga pikat turistike më interesante, në vijën e kufirit me Kosovën, afër fshatit Shishtavec, tregon se "në fundjavë ka shumë klientë, që vijnë nga Kukësi dhe nga fshatrat afër kufirit". Ai thotë se ritmet e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge duhet të përshpejtohen, pasi përfundimi i saj do të rriste ndjeshëm dhe numrin e turistëve.
"Është një vend që rrallë kund e ndesh. Veçanërisht në verë, kur të gjithë duan t'i largohen vapës e pluhurit", thotë Bahudini.
Kur ngjitesh shpatit të malit, afër fshatit Kollovoz ndryshon gjithçka. Nis fresku dhe maja e malit të Gjalicës, ende me dëborë, duket afër. Veturat nisin e ndalen, ndërsa udhëtarët sodisin bukuritë e natyrës dhe shijojnë freskinë e ajrit. Lëndinat janë të mbushura nga lulet shumëngjyrëshe dhe tufat e deleve, banorët përshëndesin përzemërsisht.
"Çdo ditë e bëj këtë rrugë 4 herë në fundjavë, jam i abonuar", tregon shoferi Artan Bela. "I sjell dy familje në mëngjes dhe i kthej në mbrëmje vonë. Më paguajnë mirë."
Asllan Bislimi, punonjës në firmën e Albbuildingut është një prej klientëve të shoferit. Ai nuk ua prish fëmijëve, duke u bërë fotografi.
"Është fundjava e 3-të që vij në lëndinat e Gurit të Mëngjesit. Këtu gjithçka të bën mirë, veçanërisht fëmijëve", thotë Asllani. I biri, Donardi, 13 vjeç, sa zbret nga makina vesh xhaketën. "Kështu më ka thënë babai se ndryshe nuk na sjell sërish", tregon me sinqeritet ai.
Mali i Gjalicës ka plot pika të tilla pushimi. Pylli i mështeknave, i rrallë dhe në Ballkan, ka nisur të shfrytëzohet gjithnjë e më tepër. Aty Selman Noka ka ngritur një pikë shitjeje.
"Këtu vijnë çdo ditë pushues nga Kukësi. Unë u shërbej gjëra të gatshme, birra, e pije freskuese për fëmijët. Ua shes me çmime si në Kukës, pasi edhe kështu më del fitimi. Nuk kam punë tjetër, çfarë të bëj në fshat", thotë Selmani nga fshati Novosej.
Te stanet e Novosejit, Mahmut Noka ka 3 shtëpi që i lëshon me qera klientëve që vijnë afër majës së Gjalicës. Mahmuti është praktik, në një rezervuar të vogël rrit peshq.
"Me krapin tërheq jo pak klientë në këtë periudhë të verës. Ua gatuaj si të duan, u gatuaj dhe mish, e gjithçka tjetër", tregon Mahmuti.
Ndërsa udhëtimi vazhdon drejt Gurit të Mëngjesit, i fundmi mes këtyre pikave turistike që kanë nisur të ringjallen mbrapa malit të Gjalicës.
Ana tjetër e Gjalicës shihet dhe nga Kukësi. Edhe kjo anë ka nisur të popullohet me vizitorë.
Lugina e Kroit të Kuq, është një nga bjeshkët më të mira të Gjalicës, e cila, është shumë e preferuar, edhe për faktin se rruga e makinës shkon shumë afër saj. Një rrugë e ngushtë, ku makina lëviz me vështirësi, por gjithsesi të heq mundimit e të ecurit më këmbë nëpër shpatinat e rrëpirta të malit.
Çdo fundjavë te lëndina e madhe e Krojit të Kuq janë me dhjetra pushues familjarë.
"Këtu kalojmë fundjavën. Është freskët, ujin duhet ta lësh të ngrohet pak para se ta pish", tregon Hanin Myftari, punonjës në Këshillin e Qarkut.
Thuajse në majë të Gjalicës, vetëm 1 orë larg, janë 3 kroje. Kroji i Ramës, Kroji i Kishës dhe Kroji i Tatzot që vizitohen më shumë nga të pasionuarit pas alpinizmit.
Banorët e fshatit Shtiqën kanë si vendpushimi Sasatin, rreth 1700 m mbi nivelin e detit, një hapësirë me lëndina dhe pyje pishe që banorët e përdorin për verimin e bagëtisë dhe të moshuarit shkojnë për freski.
"Sasati është i yni, pranojmë vetëm miq apo të ftuar", thotë Rama, një prej banorëve të fshatit, i cili e kalon verën aty.
Bujtinat në Sasat janë verore. Dimrit rrallëkush mund të shkelë aty.
Gjallëria e Gjalicës nis me verën dhe mbaron në shtator, kur nis të ftohtit.
Këto bukuri gjithmonë e kanë tërhequr vemendjen të huajve. Një ushtarak amerikan, të cilit i ra rasti ta shëtiste kohën gjatë bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999, u shpreh: "Sikur të ndërtohej një rrugë makine përgjatë shpatit të malit do të ishte një gjë fantastike e do të tërhiqte në këto kroje qindra vizitorë"./ch/