Sarandë: Arrestohen Dy Mashtrues Te Kthyer Nga Greqia
SARANDË, 15 Qershor /ATSH-Telnis Skuqi/ - Dy qytetarë shqiptarë që u munduan të kalojnë në Greqi me dokumenta fals, duke pretenduar se ishin "agjentë" të antiterrorit ndërkombëtar, pasi u zbuluan nga autoritetet greke, i janë dorëzuar policisë shqiptare në doganën e Qafëbotës, rreth 30 km larg Sarandës.
Komisariati i Sarandës bëri të ditur sot për ATSH-në, se "Erand Lika dhe Mikel Xheta nga Shupenza e Dibrës, ia kanë dalë të kalojnë kufirin shqiptaro-grek në Qafëbotë, rreth 30 kg larg Sarandës duke treguar dokumente të sofistikuar, por autoritetet greke i deportuan në atdhe disa orë më pas".
Policia tha se "dy të ndaluarit kanë pranuar se këtë aventurë e kanë ndërmarrë për të realizuar kalimin e paligjshëm të kufirit", duke shtuar se "Lika mbante numrin serial 1059 të identifikimit si agjent, ndërsa Xheta numrin 1053".
Të njëjtat burime thanë se këta dy shtetas mund të jenë pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar në këtë linjë, nisur edhe nga një ndodhi e ngjashme, zbuluar pak kohë më parë në Londër (Angli).
Policia tha se ndaj dy të arrestuarve rëndojnë disa vepra penale, falsifikim të dokumentave, përdorim i titullit apo detyrës shtetërore dhe kalim të paligjshëm të kufirit./ch/