English

Topalli: I Vlefshëm Çdo Investim Që Ndihmon Në Betejën Kundër Kancerit

- Gjatë vizitës në Qendrën Spitalore 'Hygenia' në Tiranë - TIRANË, 15 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi sot çdo investim, publik apo privat, që ndihmon në betejën kundër kancerit, sëmundjes së shekullit. Sipas një njofitmi për shtyp nga Kuvendi, në kuadër të luftës kundër kësaj sëmundje, Kryetarja Topalli vizitoi sot Qendrën Spitalore 'Hygenia' në Tiranë. Ajo pa nga afër aparaturat e sofistikuara që do të kryejnë rrezatimin e çdo lloj tumori në çdo lloj thellësie, e që e bëjnë këtë spital një qendër për parandalimin dhe luftën ndaj kancerit përmes kirugjisë, kimioterapisë dhe radioterapisë. Topalli tha se "parandalimi i kësaj sëmundje përmes diagnostifikimit në kohë është thelbësor në këtë betejë. Beteja kundër kancerit është një betejë që duhet dhe mund ta fitojmë." Kryetarja e Kuvendit vizitoi dhe pavionet për sëmundjet e zemrës, transplanteve të llojeve të ndryshme, pediatrisë dhe maternitetit për përkujdesin e nënave dhe fëmijëve. Qendra Spitalore 'Hygenia', e ndërtuar në krah të djathtë të autostradës Tiranë-Durrës, pritet të përurohet më 1 korrik./a.s//n.m/
KOMENTE