Tiranë, 15 Qershor, NOA - Duke marrë shkas nga shqetësime të ngritura në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme për probleme të trafikut në kryeqytet, Prefektura e Tiranës ka paraqitur një padi në organin e akuzës për forcat e Policisë Bashkiake.
Kjo pasi, sipas këtij institucioni, ato kanë kryer shpërdorim flagrant të detyrës si rast i paprecedent në rregullimin e trafikut, për më tepër me uniforma të pamiratuara nga institucionet përkatëse.
“Këto veprime përbëjnë përvetësim të funksionimit të Policisë së Shtetit dhe tejkalim të kompetencave ligjore të Policisë Bashkiake”, sqaron institucioni i Prefektit lidhur me një fakt të tillë.
“Gjithashtu, një veprim tjetër në kundërshtim me VKM nr.229, dt.23.04.2004 “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, konsiderohet edhe prezenca e Policisë Bashkiake në kryerjen e homazheve nga funksionarë të Partisë Socialiste”, shtojnë zyrtarët e saj.
Në fund, institucioni i Prefekturës në deklaratën e saj ka sqaruar se Policia Bashkiake nuk mundet kurrsesi të shndërrohet në një repart privat, që funksionon sipas teorisë “Haxhi-Qamiliste”.
n.e/NOA