English

Vendet E Evropes Juglindore Diskutojne Per Sfidat E Reja Ne Sistemin Bankar

-Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, merr pjesë në Samitin e dytë te ministrave dhe Guvernatoreve të vendeve nga Evropa Juglindore- TIRANE, 15 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/-Sfidat e politikës fiskale në situata krizash, rruga drejt Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet e politikës fiskale dhe asaj monetare pas periudhës së recesionit, ishin në qendër të Samitit të dytë vjetor të ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Juglindore, organizuar ditët e fundit në Podgoricë të Malit të Zi, nga 'Ekonomist Media Group'. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i pranishëm në këtë Samit, bëri prezent zhvillimet e fundit në sistemin bankar shqiptar dhe u ndal në politikën monetare që ndjek Banka Qendore e Shqipërisë, për ruajtjen dhe përmbushjen e misionit të saj në drejtim të nivelit të inflacionit, brenda kufijve të përcaktuar prej saj. Sipas tij, BSH-ja ka rritur mbikëqyrjen bankare ndaj bankave tregtare në vend, me qëllim monitorimin e likujditeteve, provigjoneve dhe balancave depozitë/kredi për të pasur nën kujdes të vazhdueshëm zhvillimet në sistemin bankar shqiptar në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare. Burime nga BSH-ja bënë të ditur se punimet e Samitit u përqendruan në shkëmbimin e eksperiencave të vendeve pjesëmarrëse për çështje të tilla si: të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore në kohë krizash, borxhi publik, "skenari grek" dhe vendet e rajonit, si dhe perspektivat bankare. Në këtë Samit merrnin pjesë ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe përfaqësues nga Banka Evropiane e Investimeve./s.s./
KOMENTE