Tiranë, 15 Qershor 2010 NOA - Konsumatori shqiptar mbetet i pambrojtur për sa i përket produkteve ushqimore që ai konsumon në tregun vendas. Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka bërë sot të ditur se ka bllokuar një sasi të konsiderueshme Nescafe Espresso, e cila tregtohej nga kompania AGNA sh.a, pasi përmbante copëza qelqi.
Kompania në fjalë e importonte produktin nga Greqia, i cili origjinën e kishte nga Franca. Pas kontrollit që i është bërë kompanisë AGNA ka rezultuar se ajo ka qenë e sinjalizuar nga kompania greke, nga e cila importonte mallin, për tërheqjen e tij nga tregu, por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Subjektit iu gjetën në magazinë plot 46.8 kg mall nga 48 kg që ishte importuar, bën të ditur në një njoftim Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Sipas deklarimit të përfaqësuesit të kompanisë sasia tjetër e produktit ndodhej e bllokuar në magazinat e subjektit në Sarandë, por në fakt një gjë e tillë është pjesë e hetimit që po kryen ministria për të evidentuar hedhjen ose jo të këtij produkti në treg.
Inspektorët bllokuan sasinë e gjetur në magazinë, por ndërkohë nuk ka asnjë informacion në së kompania në fjalë është ndëshkuar për këtë shkelje të rëndë, e cila dëmton direkt shëndetin e konsumatorit.
Për ngjarjen skandaloze ka shkruar gjerësisht dhe shtypi i huaj.
r.l./r.n/NOA