Zgjerohet Fusha E Veprimit Të P/Ligjit Për Trajtimin E Familjarëve Të Punonjësve Të Rënë Në Krye Të Detyrës
RANË, 15 Qershor/ATSH- Anila Struga/- Zgjerohet fusha e veprimit të projektligjit për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të disa organeve ligjzbatuese, kur ata humbasin jetën në krye ose për shkak të detyrës.
Ky projektligj, i shqyrtuar në seancën e fundit plenare (10 qershor), u kthye për rishqyrtim në komisionet parlamentare, nisur nga kërkesa e deputetëve të PS-së për t'u njohur më mirë me përmbajtjen e ligjit, si dhe nga kërkesa e Ministrit të Financave për krijimin e një amendimi me qëllim gjithëpërfshirjen e kategorive që përfitojnë nga ky p/ligj.
Amendimi i propozuar do të përfshijë dhe punonjësit e Forcave të Armatosura, të Policisë së Burgjeve, si dhe ata të shërbimeve inteligjente, ndërsa drafti fillestar paraqiste përfitues punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Anëtarët e komisionit ranë dakord për amendimin në fjalë, ndërsa shqyrtuan disa çështje teknike të neneve të projektligjit, duke ia kaluar për vendimmarrje komisionit të Ekonomisë.
Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave përcakton mënyrën e trajtimit ekonomik dhe financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të kategorive të sipër përmendura, të cilët kanë rënë në detyrë.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, trajtim preferencial për kredi strehimi nga Enti Kombëtar i Banesave etj, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara.
Përfitimet që jepen në përputhje me këtë ligj vendosen në vlerën 100 % të pagës sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon./s.s./