Aku E Zmk Bashkepunim Te Ndersjelltë Mbi Sigurinë Ushqimore Në Vend
TIRANE, 16 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Forcimi i masave dhe kontrolleve për sigurinë dhe cilësinë e produkteve që përdoren në industrinë e lehtë ushqimore në vendin tonë, ishin në qendër të takimit që u zhvillua sot në ambjentet e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit mes përfaqësuesve të këtij institucioni dhe Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit.
Drejtori i Vlerësimit dhe Komunikimt të Riskut pranë AKU-së, Rezart Kthupi, theksoi gjatë këtij takimi se "bashkëbisedimi me aktorët e linjës, do të krijojë një vlerësim shkencor të rrezikut, përsa i takon produkteve të cilat janë të dëmshme për konsumatorin".
Ai shprehu gadishmërinë e AKU-së në përmbushjen e misionit të saj për sigurinë dhe funksionimin efikas të tregut të brendshëm ushqimor. Megjithëse një institucion i ri, AKU aktualisht është në një stad zhvillimi e përmirësimi, pra në fazën e hedhjes së bazave solide për të përmirësuar sigurinë ushqimore në vendin tonë.Vetëm pak kohë më parë është bërë dhe inaugurimi i AKU-së.
Ngritja e këtij Autoriteti është një hap shumë i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian. AKU është ndërtuar mbi një koncept solid reforme, ai ka shkrirë 5 inspektorate ne nje te tille.
Ky institucion i ngritur me mbështetjen e BE është shumë i rëndësishëm për garantimin e sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe krijimi i tij është një hap tjetër i madh në reformat dhe iniciativat që Shqipëria po ndërmerr në rrugën drejt plotësimit të standardeve dhe integrimit në BE. /a.ke/