English

Ambasada e Spanjës:Përmes kulturës, BE merr një identitet të përbashkët

Tiranë, 16 qershor, NOA – Një koncert i muzikantit të njohur spanjoll, Ignasi Terraza, një nga muzikantët e xhazit më të vlerësuar aktualisht në Spanjë, me një famë që i ka kaluar kufijtë e Mbretërisë spanjolle duke marrë edhe çmimin më të fundit “The great American jazz piano competition 2009” në Jacksonville, të SHBA-ve, bashkë me Dimitri Skidanov dhe Esteve Pi, do të përmbyllin në një atmosferë shndritëse presidencën spanjolle të BE-së, sonte në teatrin e Operas dhe Baletit.

Më pas aktivitetet e ambasadës së Mbretërisë së Spanjës, në kryeqytet do të vijojnë me inaugurimin e Javës së IX të Kinemasë Spanjolle: Europa në ekran, nga data 17- 23 qershor në Kinemanë Imperial.

“Europa në ekran” do të ngërthejë projektimin e një serie filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së si Portogalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat, që Spanja ashtu si edhe Europa ka përballuar në 50 vitet e fundit dhe me pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë europiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle.

Filmi “Qetësia para Bach-ut” i realizuar në 2007-ën nga regjisori Portabella do të çelë Javën e Kinemasë spanjolle në 17 qershor, në kinemanë Imperial, ku hyrja do të jetë falas për të gjithë dashamirët e kinemasë.

Filmi sjell një një portret të kompozitorit të madh Johan Sebastian Bach, i cili shkon të jetojë në Leipzig në një moment kur muzika e tij nuk ishte akoma e njohur, por pasioni dhe puna e tij ishin letrat e tij më të mira për t´u prezantuar, dhe talenti i tij do të rritej me kalimin e viteve.

Përreth ketij argumenti, gati si një anekdotë, Portabella realizon një përafrim me muzikën, ashtu si dhe me disiplinat që e rrethojnë, nëpërmjet veprës së Johann Sebastian Bach, ku muzika kthehet në një personazh më shumë.

Sikundër edhe themeluesi i Bashkimit Europian, Jean Monnet deklaroi asokohe se “po të fillohej edhe një herë procesi i bashkimit të kombeve europiane do të fillohej nga kultura”, ky shembull ku kultura europiane projektohet përtej kufijve të kontinentit tonë dhe përcakton imagjinatën e përbashkët të qytetarëve të saj, kthehet dorazi në një identitet dhe një histori të përbashkët, ashtu si dhe në një njohje sa më të mirë reciproke.

mit/NOA
KOMENTE