English

Amendimi I Rregullores Së Kuvendit Diskutohet Nesër Në Seancë

TIRANË, 16 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës do të shqyrtohen nesër në seancën plenare të radhës, pa marrë konsensusin e opozitës. Paketa për amendimin e dokumentit më të rëndësishëm që rregullon jetën parlamentare, e propozuar nga deputetë të maxhorancës, parashikon votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ndryshe nga sa është bërë deri tani, kur votimi i tyre bëhej me kuti, ose i fshehtë me elektronikë. Amendimi i rregullores parashikon gjithashtu ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve presidencialë në Kuvend, nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë. Ky ndryshim synon të mundësojë një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore me kandidatët për postet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, para se dekretet të përcillen në Kuvend. Përgjatë pesë mbledhjeve të zhvilluara javët e fundit nga Këshilli i Rregullores, maxhoranca dhe opozita janë pozicionuar në qëndrime të kundërta për këto ndryshime, pa mundur të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit për ndryshimet e propozuara. Për përfaqësuesit e shumicës votimi i hapur i dekreteve ndihmon në procesin e transparencës së votimit të kandidaturave, si një instrument thelbësor parlamentar. Sipas tyre çdo deputet duhet të ushtrojë e të mbajë përgjegjësinë e votës së tij. Duke argumentuar votimin e hapur të dekreteve maxhoranca sjell modelet e votimit të anëtarëve të Gjykatave në SHBA dhe në vende të ndryshme të Europës. Ndërsa për përfaqësuesit e opozitës, futja e votimit të hapur të dekreteve të Presidentit në rregullore thyen privatësisë së votës për deputetin dhe është një lloj kontrolli politik, me të cilin maxhoranca synon të ushtrojë mbi votat e saj. Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, që pritet të shqyrtohen nesër në seancë plenare, sipas nenit 117 të saj, miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit./n.m/
KOMENTE