Berisha: Bekim Fehmiu, Moisiu I Dytë I Kombit Shqiptar
- Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Bekim Fehmiu -
TIRANE, 16 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar aktorin Bekim Fehmiu një "korife botëror të filmit dhe të skenës, Moisiu i dytë i kombit shqiptar".
"Bekim Fehmiu me talentin e madh ia doli të ngrihet si asnjë shqiptar tjetër, në majat më të larta të kinematografisë botërore. Ai u nda nga jeta pasi i la artit botëror një trashëgimi të pavdekshme, kombit shqiptar krenarinë e ligjshme për kollosin e tij të madh", thuhet në mesazhin e ngushëllimit që Kryeministri Berisha i ka dërguar familjes Fehmiu për ndarjen nga jeta të aktorit të madh.
Ndërkohë, dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka shprehur sot ngushëllimet familjarëve të aktorit shqiptar, që u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 74 vjeçare. /s.s./