English

Bode: Pagat Dhe Pensionet Do Të Rriten Nga 5-10 %

TIRANE 15 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Financave, Ridvan Bode konfirmoi se pagat dhe pensionet do te rriten në masën 5-10 %, duke filluar nga data 1 korrik. "Pagat e larta ku përfshihen ajo e presidentit, kryeministrit dhe ministrave do të pësojnë një rritje prej 2 përqind ndërsa pagat e punonjësve të administratës do të kenë një rritje nga 5-10 përqind sipas kategorive", tha Bode. Ministri i Financave duke thënë se "pensionet do të kenë një rritje nga 5-10 përqind", veçoi se "një rritje më të madhe do të kenë profesionet më të diskriminuara". Gjatë një interviste në Televizionin "Ora News", Bode ndërsa u shpreh se Shqipëria nuk është në krizë ekonomike, theksoi se të gjitha parametrat tregojnë se vendi ynë nuk prodhoi krizë, por një ngadalësim të ekonomisë. "Shqipëria është vend me një rritje ekonomike me më shumë se 3 përqind dhe tashmë ekonomia shqiptare është në fazën e rritjes ku vështirësitë e mëdha, ekonomia i kishte gjatë muajit nëntor, deri në muajin shkurt", theksoi ministri Bode. Gjithashtu Bode theksoi se në fundin e vitit të kaluar investimet private patën një rënie dhe një ngadalësim u shënua edhe në investimet publike. "Jemi në fazën e ngritjes dhe shënjat janë mjaft pozitive, duket që Shqipëria ka avancuar në lidhje me ekportet siç janë fasonët, por edhe mineralet" tha Bode, ndërsa shtoi se, puna e bërë nga qeveria ndihmoi që ekonomia shqiptare të mos binte në krizë. Ministri i Financave i cilësoi akuzat e opozitës se vendi është në krizë si një plan të dështuar të saj për të shkaktuar panik dhe për të qënë në debat. "Opozita është e çorientuar dhe e pa sistemuar dhe pretendimet e saj nuk janë të përputhura me të vërtetën", tha Bode duke shtuar se, "kjo dëshmon mungesën e plotë të një opozite, që nuk mund të ofrojë as edhe një zgjidhje". Gjithashtu Bode iu është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për shitjen e hotel "Dajtit" dhe rritjen e huamarrjes së brendshme gjatë vitit 2010. Sipas tij, hotel "Dajti" ka qënë në një proces privatizimi që kur në pushtet ka qënë qeveria socialiste e cila donte t'ia shiste kompanive private. Ai shtoi më tej se kërkesa ishte bërë nga vetë Banka e Shqipërisë e cila kërkonte të blinte disa ambjente. Sipas tij edhe çmimi i shitjes së hotel "Dajtit" është mjaft i arsyeshëm dhe i përshtatshëm. "Ky çmim është vlerësuar nga një komision i posaçëm", tha Bode. Ministri duke u ndalur tek marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur se në fund të muajit qershor një përfaqësues i FMN-së do të jetë në Tiranë në momentin e riaxhustimit të buxhetit të shtetit për vitin 2010, një paketë e fortë që qëndron në disiplinimin ekstrem të shpenzimeve. Lidhur me borxhin publik të Shqipërisë, Bode tha se ai nuk është i neglizhueshëm. "Është në masën 60 % të PBB-së, por më i ulëti në vendet anëtare të BE-së", tha Bode, që shtoi se ajo që është pozitive për borxhin e Shqipërisë është se ai është një borxh i shëndetshëm. "Shqipërisë i kushton më pak se vendeve të tjera borxhi publik edhe pse e ka përqindjen të madhe", tha Bode ndërsa shtoi se "borxhi i kushton vetëm 3 lekë për 100 lekë prodhim të brendshëm bruto". Sipas tij, ai nuk është i rrezikshëm, sepse borxhi i brendshëm rezulton në rreth 2/3 në lekë, ndërsa 1/3 është i huaj, ku 74 % e tij, janë kredi afatgjata me bankat e zhvillimit./n.m/
KOMENTE