Dpm Anëtarësohet Ne Euramet
-Konferencë për shtyp e Drejtoreshës së Përgjithshme të Metrologjisë, Angjelina Kola-
TIRANE, 16 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) është anëtarësuar me të drejta të plota në Organizatën Evropiane të Instituteve Kombëtare të Metrologjisë, EURAMET.
Drejtoresha e këtij institucioni, Angjelina Kola, gjatë një konference për shtyp, deklaroi sot se ky anëtarësim është realizuar 2 vjet para të gjitha parashikimeve dhe pason aderimin e DPM në Konferencën Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave të Konventës së Metrit, si një nga prioritetet më madhore në kuadër të përmbushjes së standardeve të BE-së dhe në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Kola vlerësoi punën e madhe dhe të suksesshme të stafiti që ajo drejton për plotësimin e kritereve të kësaj organizate, që u paraqiten në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të EURAMET të zhvilluar në 25 deri në 27 Maj 2010 në Lisbonë, Portugali.
EURAMET është Organizata Evropiane e Instituteve Kombëtare të Metrologjisë që promovon shkencën, kërkimin dhe bashkëpunimin evropian ne fushën e metrologjisë. EURAMET koordinon bashkëpunimin e Instituteve Kombëtare të Metrologjisë në Evropë, në fusha si, kërkimi në metrologji, transmetueshmëria e matjeve në sistemin SI, njohja ndërkombëtare e standardeve kombëtare të matjeve dhe të Aftësive Kalibruese dhe Matëse të vendeve anëtare.
Anëtarësimi dhe pjesëmarrja në punimet e kësaj organizate do të mundësojë promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të metrologjisë në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, do të rrisë transferimin e njohurive, eksperiencës dhe bashkëpunimit me Institutet homologe në rajon dhe Evropë.
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, në periudhën e tanishme të procesit të Stabilizim Asocimit, periudhë që konsiderohet si një sfidë e kombit dhe shoqërisë shqiptare drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen evropiane, ngelet plotësisht e angazhuar në ngritjen dhe funksionimin e një sistemi metrologjie efektiv.
DPM mbetet e angazhuar për të plotësuar të gjithë detyrimet e metrologjisë në kuadër të MSA, duke dhënë një kontribut parësor në eliminimin e barrierave teknike për lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe rritjen e cilësisë së jetës të qytetarëve shqiptarë. /a.ke/