Shkup, 16 Qershor, NOA - Ministria e Diasporës e Bullgarisë ka paralajmëruar numrin e madh të të interesuarve nga Maqedonia që synojnë shtetësinë dhe pasaportën bullgare.
Ministri i këtij dikasteri, Bozhidar Dimitrov, ka theksuar se rreth 7 mijë maqedonas deri në fund të muajit qershor do të pranojnë shtetësinë bullgare.
“Vetëm deri në muajin maj rreth 5 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë pranuar shtetësinë e Bullgarisë. Ka një interes të jashtëzakonshëm pas shtetësisë bullgare”, ka theksuar Dimitrov.
Edhe përkundër liberalizimit të vizave, autoritetet bullgare kanë theksuar numrin e shtuar të qytetarëve të interesuar nga Maqedonia për tu pajisur me shtetësi bullgare.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Diasporës në Sofje, gjatë vitit 2009, por edhe në fillim të vitit 2010 është dyfishuar interesi për të ardhur tek fitimi i shtetësisë dhe pasaportës bullgare.
Dëshmia për të deklaruar origjinën bullgare është një argument i mjaftueshëm që shumë maqedonas duke filluar nga Kumanova e deri në Gjevgjeli po pajisen me shtetësi bullgare, e cila krijon më shumë hapësirë të veprimit dhe punës në vendet e BE-së, për shkak se Bullgaria tashmë si vend anëtarë i BE-së gëzon të gjitha mundësitë e barabarta.
NOA-INA