English

Gjykata e Apelit e shpall të pafajshëm Vasil Bollanon

Vlorë, 16 Qershor 2010 NOA I plotë – Gjykata e Apelit të Vlorës, vendosi sot të rrëzojë vendimin e gjykatës së Rrethit dhe shpalli pafajësinë për Vasil Bollanon pas dënimit që kishte marrë me 6 muaj burg dhe 5 milionë lekë gjobë.

Ky është vendimi që u dha sot nga Gjykata e Apelit të Vlorës ndaj kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, vendim që erdhi pas kritikave të forta që kryeministri Berisha bëri ndaj gjyqësorit për dënimin që kishte marrë kreu i OMONIA-s.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime brenda kësaj gjykate, të cilat konfirmojnë se ky organ ka ndërmarrë vendimin për pafajësi, duke vlerësuar se provat e paraqiturta nga organi i prokurorisë, nuk ishin të atilla që të jepej dënimi me gjashtë muaj burgim, pesë milionë lekë gjobë dhe masën e ndalimit të ushtrimit të profesionit prej tij për tre vite me radhë në administratën publike.

Ndërkaq, pretenca e paraqitur nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj, ka qenë për dënimin me 1 vit burg dhe një gjobë prej 5 milionë lekësh, shtuar dhe masën e ndalimit të ushtrimit të profesionit prej tij për tre vite me radhë në administratën publike.

Kryebashkiaku Bollano akuzohej për shpërdorim detyre, pas veprimit të urdhëruar prej tij për heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogara-Qeparo, me pretendimin se ato duheshin shkruar edhe në greqisht.

Për vendosjen e tabelave është organizuar tenderi prej 5.3 milionë lekë, i zhvilluar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me objekt vendosjen e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Orikum-Himarë-Sarandë -Butrint.

Gjatë punës së saj kjo firmë fituese e tenderit AGE&CO shpk ka hasur probleme me kryebashkiakun Bollano.

Duke reaguar më 21 prill të vitit të kaluar për dënimin e dhënë nga ana e gjykatës së Rrethit Vlorë, Kryeministri Sali Berisha ka kritikuar vendimin për të dënuar kryetarin e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano me gjashtë muaj burgim, 500 mijë lekë të rinj gjobë dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të detyrës funksionale që ka aktualisht, për tre vjet me radhë.

Në një deklaratë të posaçme e cila u publikua nga kabineti qeveritar, Berisha vlerësonte se vendime të tilla nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit.

"Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit", - thuhej në deklaratën e qeverisë.

Reagimi i Kryeministrit Berisha erdhi disa orë pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për heqjen e të drejtës politike dhe elektorale ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.

Gjyqtari Shkëlzen Selimi, gjatë leximit të vendimit dhe argumentimit të tij, iu referua pretencës së prokurorit kur tha se nga vlerësimi i provave rezulton se Bollano ka shpërdoruar detyrën e tij publike duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore, në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë.

"Nga dy urdhra të lëshuara prej z. Vasillaq Bollano janë dëmtuar interesat shtetërore, e shoqëruar kjo me një dëm financiar prej rreth 1.8 milionë lekësh", - deklaroi gjykatësi.

Mbi vendimin, kishte reaguar edhe Bollano i cili premtoi se do t’i shkonte çështjes deri në fund në të gjitha instancat e gjykimit deri sa të dilte i pafajshëm, sikundër u shpreh.

Bollano kishte pohuar se për mbi një vit, “gjykata dhe prokuroria e Vlorës duam me patjetër të gjykojnë kryebashkiakun Bollano”.

Sipas Bollanos, ky ishte “një gjyq i stisur dhe politik nga njerëz që ju shërbejnë segmenteve të caktuara ekonomik dhe politik. Pasi në bazë të asaj që shkruhet në kushtetutën e Shqipërisë, si kryebashkiak unë kam të drejtë në bazë të ligjit të marrë vendime, si ato dy që mora në territorin që kam në juridiksion të bashkisë që drejtoj”.

Për Bollanon, “vetëm një gjykatë dhe një prokurori e tillë, mund të veprojë kështu dhe të kërkojë të bëj gjyq për një shkelje administrative, nëse do të shihej kështu. Prokurori i çështjes Sokol Malaj, ka vepruar si person që ju shërben segmenteve të caktuara ekonomike dhe politike, dhe me një nacionalizëm ekstrem, që në momentin që në pretencën e dhënë prej tij ka deklaruar se në urdhrat e mi ishte shkruar të hiqen me qëllim që të shkruhen në gjuhën greke”.

r.n/NOA

KOMENTE