English

Gruaja e Bekim Fehmiut: Trupi do të digjet sipas amanetit të tim shoqi

Beograd, 16 qershor, NOA/Milena Selimi - Sot shtypi i Beogradit njofton se bashkëshortja e Fehmiut, Branka Petriq një aktore e njohur, deklaroi se Bekimi ka bërë vetëvrasje në banesë (ditën e djeshme) rreth orës 15.00, dhe se, sipas saj ai për një kohë ka qenë i vetë izoluar, ka pasur disa probleme shëndetësore dhe psikike.

Ajo tha se kremimi i trupit të tij (djegia e trupit) do të bëhet në Beograd, por ende nuk është caktuar data.

"Kjo ka qenë dëshira e fundit e Bekimit", tha ajo.

Prej disa kohësh ai vuante nga një sëmundje depresive, e cila ishte rënduar kohët e fundit.

Ndoshta për këtë arsye në librin e tij autobiografik "Shndritshëm dhe tmerrshëm", botuar në vitin 2001, Bekim Fehmiu shkruan mes të tjerash: “Asgjë nuk kam arritur, një zero absolute në atmosferën apokaliptike, duke kaluar mes vuajtjesh te mëdha shpirtërore. Arrita atë që shkruan Stefan Cvajg në romanin “Bota e djeshme”..izolimin, vetminë. Kjo më shtyu të shkruaj kujtimet!”

Ndërkohë në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahen, ‘ Ditët Homazh për Bekim Fehmiun’.

Duke nisur nga data 15 Qershor, Teatri Kombëtar mban shtatë ditë zie (homazh) për nder të aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu.

Për shtatë ditë me radhë, çdo natë nga ora 21:00, do të ndizen 74 qirinj për hir të viteve të aktorit, si dhe do të vendoset libri i zisë për të gjithë qytetarët.

Po ashtu në TKK është vendosur edhe ekrani televiziv ku do të shfaqen filmat e aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu.

“Aktor i mirë mbetet vetëm ai që publiku e beson si të vërtetë”-me këto fjalë Bekim Fehmiu ka treguar dikur në një intervistë nga të fundit, se si e sheh ai aktorin e vërtetë. “Puna e aktorit është e mbushur me mister, fshehtësi, plot magji dhe dinamit. Hyni në një lëkurë tjetër, por si do të dilni, këtë se di askush. Ne jemi njëlloj maje e arkeologut, gërmojmë e gërmojmë dhe vetëm në fund kupton se je gabuar...edhe nis nga fillimi”.

MTKRS-ja dhe Teatri Kombëtar në Tiranë, ende nuk kan njoftuar për ndonjë ceremoni të mundshme nderimi dhe homazhi për aktorin e madh shqiptar, i cili, sipas një të përditshmeje serbe “Pas Aleksandër Moisut, mbetet aktori i dytë shqiptar që pati një karrierë ndërkombëtare të suksesshme”.

m.s/i.t/NOA

KOMENTE