Grupi I Ps-Së Kundërshton Ndryshimet Në Rregulloren E Kuvendit
- Ndryshimet do të diskutohen nesër në Kuvend -
TIRANË, 16 Qershor/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i mbledhur sot në mesditë u shpreh kundër amendimit të rregullores së Kuvendit, që synon ndryshimin e mënyrës së shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës.
Sipas njoftimit për shtyp nga selia e PS-së, "në mbledhjen e radhës së grupit socialist u diskutua me shqetësim mbi qëndrimin refraktar dhe bllokues të maxhorancës për zgjidhjen e krizës politike, institucionale e ekonomike".
Duke u ndalur tek ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga maxhoranca parlamentare, që do të paraqiten për votim në seancën e së enjtes, grupi i PS-së vlerësoi se "këto ndryshime të ndërmarra në mënyrë të njëanëshme bien ndesh me praktikat më të mira parlamentare europiane të rregulloreve të funksionimit të parlamenteve.
Gjithashtu, deputetët socialistë e konsiderojnë këtë akt të maxhorancës "një hap më shumë për thellimin e krizës politike drejt institucioneve kushtetuese, duke cënuar rëndë drejtpërsërdrejt pavarësinë e tyre".
Ndryshimet në rregulloren parlamentare, të shqyrtuara në disa mbledhje të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, synojnë aplikimin e votimit të hapur të dekreteve të Kreut të Shtetit në Kuvend për emërimet në institucionet kushtetuese.
/a.s//n.m/