English

Hashim Thaçi: Qeveria kosovare, e vendosur kundër korrupsionit

Prishtinë, 16 Qershor, NOA – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për BBC, ka thënë se Kosova si shtet i ri, po ecën me hapa të sigurt në proceset integruese.

Ai tha se në planin e brendshëm, ajo po konsolidohet gjithnjë e më shumë.

Kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se vlerësimi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të Kosovës dhe kjo 'do të hapë perspektiva të reja' për këtë vend.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova është e hapur për çfarëdo bisedimesh, por duke përjashtuar tri çështje 'të mbyllura'.

Zoti kryeministër, po ju takojmë përpara se të niseni në Bruksel. Më thoni cili është qëllimi i vizitës tuaj në Bruksel?

Shteti i Kosovës kaloi dy vjet e gjysmë nga momenti i shpalljes, kemi ndërtuar kapacitetet tona shtet-formuese, funksionale dhe efektive të instalimit të qeverisjes së mirë, dhe tani jemi në prag të prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për statusin e Kosovës, një opinion ky i shumëpritur edhe në Prishtinë, edhe në Bruksel e në Uashington e ndoshta edhe për gjithë rajonin, sepse ky opinion do të ketë reflektime të hapjes të një kapitulli të ri për perspektivën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës, pavarësisht nga opinioni që do të prezantohet, për Kosovën do të ketë njohje të reja, do të hapet kapitull i sigurt i integrimeve euroatlantike edhe në anën tjetër do të hapet edhe një kapitull i relacioneve të një mirëkuptimi, apo komunikimi për çështje teknike mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në mënyrë që të vazhdojnë me angazhime paralele si dy shtete të veçanta integruese në strukturat e Bashkimit Europian dhe në NATO. Kjo vizitë është një vizitë me ftesë të autoriteteve më të larta europiane në mbështetje të progresit në Kosovë, në mbështetje të gjithë këtyre angazhimeve të gjithanshme që kemi pasur si Republikë e Kosovës me gjithë autoritetet mbështetëse ndërkombëtare, ICO-ja, EULEX-i, por edhe KFOR-i.

Zoti kryeministër, ky takim, në një farë forme, vizita juaj në Bruksel po realizohet pak kohë përpara se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë një opinion për Kosovën. Më thoni, cilat janë pritjet tuaja për vendimin e saj, opinion e saj?

Opinioni besoj fuqishëm se do të jetë në përputhshmëri me vendimet e institucioneve të Kosovës për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, për ndërtimin e shtetit demokratik dhe multi-etnik. Në të njëjtën kohë do të jetë një opinion në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës por edhe opinion që do të rritë përgjegjësitë e angazhimeve shtesë edhe të Bashkimit Europian edhe të Uashingtonit por edhe që në të ardhmen e afërt do të unifikojë qëndrimin europian për shtetin e Kosovës.

Besoni që pas qëndrimit të Gjykatës së Hagës së Drejtësisë do të zhbllokohet në një farë forme procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe përmirësimi i pozicionit të saj ndërkombëtar?

Definitivisht, prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të hapë perspektivë për lëvizje përpara, do të kemi njohje edhe më të fuqishme nga të gjitha vendet e botës, nga shumica e vendeve të botës. Dhe nga ana tjetër do të kemi autoritet më tepër si institucione të Kosovës dhe tash vetëm kemi hyrë në fazën e përmbylljes të pavarësisë së mbikqyrur sepse implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisari, megjithë kapacitetet që ne kemi patur, e kemi implementuar duke decentralizuar, duke mbyllur procesin e decentralizimit, të përkujdesjes për trashëgiminë kulturore, të sundimit të ligjit, të bashkëpunimit të mirë me të gjitha vendet fqinje, dhe në të njëjtën kohë të vazhdimit të thellimit të reformave demokratike në të gjitha sferat e jetës institucionale dhe civile.

A ka mundësi për shembull që të ketë një fazë të re të çtensionimit të raporteve Prishtinë - Beograd?

Prishtina është e gatshme që t'i hyjë procesit të angazhimeve për çështje teknike me interes të përbashkët në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, sikurse me vende të tjera. Gjithçka që është në interesin e dy vendeve dhe dy popujve tanë natyrisht se do të hapet një perspektivë e zbatimit të standardeve të nevojshme edhe për angazhimet e komunitetit ndërkombëtar, të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një trajtim i veçantë për komunitetin serb.

Kur do të ketë negociata me Serbinë dhe për çfarë?

Fillimisht, theksoj se unë pres që të hapet dialogu për liberalizimin e vizave gjatë kësaj vere, që të arrijmë me procesin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europain që të hapet edhe procesi i asoim-stabilizimit, dhe në të njëjtë kohë të shihet edhe mundësia e afrimit të Kosovës sa më shpejt në strukturat e partneritetit për paqe si parakusht apo si parafazë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Tri çështje janë plotësisht të panegociushme për Republikën e Kosovës. E para, ne nuk pajtohemi me gjendjen në veri dhe punojmë maksimalisht që gjendja të ndryshojë atje, të kemi sundim të ligjit, të organizojmë zgjedhje të lira në tri komuna, pastaj të provojmë komunën e re e në të njëjtën kohë të vazhdojmë angazhimet shtesë socio-ekonomike dhe të formojmë edhe fondin e veçantë për veri, dhe shumë shpejt institucionet e Kosovës do të kenë prezencën e vet në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Çështja e dytë, që është plotësisht e përjetshme e përgjithmotshme, është statusi i Kosovës, Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Dhe çështja e tretë, integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i respektuar, i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Ju keni deklaruar zoti Thaçi se ju do të jeni në ballë të luftës kundër korrupsionit, pikërisht në kohën kur janë shtuar zërat se eventualisht, eksponentë të lartë ndoshta të qeverisjes, kanë mundur të jenë dyshuar për afera korruptive. Më thoni cilat kanë qenë sfidat e qeverisë për këtë kohë, e cila në opinion dukej të ishte e ndjeshme?

Unë nuk dua të prejudikoj, por qeveria që udhëheq unë ka thyer heshtjen dhjetëvjeçare të tolerimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi vu në ballë në bazë të autoritetit tonë kushtetues dhe ligjor, në ballë të angazhimeve tona për ligjshmërinë, për ndërtimin e shtetit demokratik, për të luftuar të gjitha dukuritë negative, presim një rol mbështetës dhe facilitues prej autoriteteve ndërkombëtare, tani me këte rol kundër të keqes është i mbështetur edhe nga Brukseli edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një rol që kërkon unifikimin e spektrit politik kosovar në luftë kundër të keqes që nuk duhet të politizohet dhe Kosova aktualisht është shembull në rajon për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative. Natyrisht që kjo betejë do të ketë adresa, ka adresa të shumta, adresa të cilat nuk duhet të ndihen rehat, por në të njëjtën kohë në asnjë rrethanë nuk duhet që ky proces të politizohet, përkundrazi duhet të respektohet për vënien e ligjshmërisë dhe respektimin e plotë të standartave demokratike dhe shtetit ligjor.

Si e vlerësoni klimën politike në Kosovë, kur ka patur disa përplasje ndërmjet opozitës dhe qeverisë që e drejtoni ju. Mbrëmë (të martën) ju pamë të takoheshit me njërin prej kundërshtarëve tuaj të njohur, zotin Haradinaj?

Mendoj se skena politika kosovare kurrë nuk ka qenë më e qetë, kurrë nuk ka qenë më stabile. Qeveria është jashtëzakonisht stabile, është jashtëzakonisht funksionale, e mund të them edhe më e fuqishme se ç'ka qenë më herët. Kemi instaluar qeverisje efektive dhe efikase, natyrisht se opozita e bën punën e vet dhe ky drejtim mendoj që duhet vlerësuar, hapat apo idetë e të cilit mund të prezantohen nga opozita. Është mirë që është prezente në parlament dhe jep idetë e veta, por qeveria ka vizionin e vet, por mendoj se nga kundërshtitë opozitare duhet të kalohet në prezantim të ideve dhe qasjeve për të ardhmen, pra këtu mund t'i dallojmë se unë prezantoj angazhimet për të ardhmen, vizionin për të ardhmen, vizionin tonë shtetndërtues, zhvillimor dhe mund ta them lirisht një angazhim të një pjese të opozitës rixhid apo të regresit, apo që merren vetëm me të kaluarën.

Zoti kryeministër, vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet. Ku e shihni veten dhe partinë tuaj pas këtyre zgjedhjeve? I frikësoheni sadopak opozitës në Kosovë, për shembull, që mund t'ju rrezikojë?

Unë do të vazhdoj edhe në mandatin e dytë së implementuari priorietet e mia të prezantuara më herët dhe gjatë kësaj faze, ju jeni në dijeni dhe gjithë qytetarët e Kosovës për vendimet e rëndësishme që kemi ndërmarrë për fillimin e ndërtimit të autostradës, një investim prej shtatëqind milionë eurosh, në këtë kohë të krizës ekonomike globale, për koncesionimin shumë të suksesshëm të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe sot vendimin për privatizimin e PTK-së, që do të dërgohet edhe në parlament. Por, vendin dhe pozitën secilit lider politik ia përcakton vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Keni qenë pjesë e një storie te sukseshme për Kosovën. Nëse do ta kthenit kohën mbrapa për disa vjet, çka do të korrigjonit në punën tuaj?

Secili njeri mund të ketë bërë dhe mund t'i kenë ndodhur lëshime e dobësi, askush nuk është i përkryer apo i përsosur. Jemi munduar të bëjmë punën më të mirë të mundshme, jam shumë krenar që kam udhëhequr procesin e çlirimit të Kosovës, kam udhëhequr procesin e shpalljes së pavarësisë së vendit, dhe tash e kam prioritetin e tretë jetësor dhe politik, atë të integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian. Unë kam besim të plotë se vizioni im së bashku me vullnetin e qytetarëve të Kosovës do të ecin bashkarisht paralelisht.

BBC

KOMENTE