English

Hysi: Ministria e Bashës nuk përmbush standardet për luftën kundër trafikut

Tiranë, 16 qershor, NOA – Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore, sipas Partisë Socialiste dëshmon për dështimin e Ministrisë së Brendshme.

Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Vasilika Hysi akuzoi direkt ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha për mungesë efiçence në drejtimin e luftës kundër trafiqeve.

“Raporti thekson se ministria që drejton Lulzim Basha nuk përmbush as standardet minimale për eliminimin e trafikimit, se kjo ministri nuk u ofron mbrojtje viktimave të trafikimit që marrin guximin të bashkëpunojnë me drejtësinë duke kompromentuar rëndë nxjerrjen përpara drejtësisë së fajtorëve për këto krime, se në disa prej agjencive kyçe nën varësinë e kësaj ministrie ka mungesë vullneti politik në luftimin e këtij fenomeni, se korrupsioni i kudogjendur përbën një nga pengesat kryesore në parandalimin dhe luftimin e trafikimit”, u shpreh Hysi.

Ajo i ka kërkuar ministri Basha të jap llogari për këtë situatë, që sipas Hysit është “papranueshme” dhe “njollë e turpshme mbi imazhin e vendit”.

Duke u ndalur në luftën kundër korrupsionit, Hysi deklaron se ministri Basha nuk është “personi më i përshtatshëm për t’i bërë një pyetje të tillë”.

Në emër të PS, Hysi ka kërkuar nga qeveria që “të marrë masa reale dhe lehtësisht të matshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit, shfrytëzimit për punë të detyruar dhe aktivitete ilegale”.

m.xh/NOA

KOMENTE