Prishtinë, 16 Qershor, NOA – Nevoja për krijimin e një komonuellthi ekonomik shqiptar, përbën një nga prioritetet e partisë Drejtësi dhe Unitet (PDU).
Një fakt të tillë, kreu i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi ia ka bërë me dije gjatë një takimi të veçantë presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke diskutuar mbi sfidat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
“Duke qenë ekonomist në profesion, jam i bindur se një treg i përbashkët dhe i konsoliduar është në të mirën e mbarë rajonit dhe jo vetëm të shqiptarëve”, tha Idrizi, duke shtuar se në projektet e mëdha që dy vendet tona kanë, duhet të merren parasysh nevojat e përbashkëta dhe duhet të bëjmë kompatibël ekonomitë tona.
Kjo pikë programore e PDU-së, u cilësua si një nevojë e kohës nga presidenti i Kosovës, i cili theksoi se zgjerimi i tregjeve ekzistuese është në të mirën e të gjithëve.
Më tej, kreu i PDU-së, Idrizi i bëri me dije Presidentit Sejdiu pikat kryesore ku bazohet programi dhe ekzistenca e PDU-së.
“Çështja çame është në bazën e programit tonë. Ne, si deputetët e parë çamë në Kuvendin e Shqipërisë e kemi parë si përgjegjësi morale themelimin e kësaj partie. Por, PDU nuk është një parti që është e përqendruar vetëm në çështjen çame, por punon dhe vepron për të mirat e të gjithë shqiptarëve”, tha Idrizi, duke e informuar presidentin Sejdiu edhe për nismën ligjore të ndërmarrë nga PDU për zgjidhjen e çështjes çame në Gjykatën e Strasburgut.
Unifikimi i gjuhës shqipe ishte një tjetër pikë ku ndaluan bashkëfolësit, duke theksuar nevojën për të ndihmuar emigrantët shqiptarë pavarësisht vendit ku jetojnë e nga e kanë origjinën që të mund të ruajnë dhe të zhvillojnë gjuhën e tyre amtare.
Në çështjen e emigrantëve, Idrizi theksoi se qëllimi I PDU-së është krijimi i Komitetit të Diasporës, si edhe e një strategjie konkrete për ta.
n.e/NOA