English

Idrizi takon Thaçin, diskutohet për zonë ekonomike mbarëshqiptare

Tiranë, 16 qershor, NOA – Drejtues të Partisë Drejtësi dhe Unitet, kanë zhvilluar sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në delegacionin e PDU i kanë qenë të pranishëm , kryetari i PDU-së Idrizi, i shoqëruar nga deputeti Dashamir Tahiri, sekretari i Përgjithshëm, Amos Dojaka dhe kryetari i PDU-së për Tiranën, Abas Hado.

Gjatë takimit, Idrizi i parashtroi kryeministrit të Kosovës pikat programatike të Partisë Drejtësi dhe Unitet, dhe qëllimet e kësaj force politike. “Partia Drejtësi dhe Unitet është një parti me karakter kombëtar, që tenton të sjellë në kohën e sotshme frymën kombëtare.

Ne konstatojmë se në këtë dekadë, shqiptarët gjenden përballë sfidave të reja; Kosova tashmë është e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë kanë statusin e popullsisë shtetformuese, ndërkohë që çështja çame ka mbetur ende në stanjacion“ – tha z. Idrizi.

Kryetari i PDU-së vlerësoi ecurinë dhe arritjet e qeverisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit dhe i parashtroi Thaçi pikat programatike, në lidhje me emigrantët, problemet ekonomike dhe kulturore të tyre, ku vlerësoi ligjin e ri të Kuvendit të Kosovës për diasporën, trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, nevojën e integrimit të plotë në strukturat evropiane, duke ruajtur karakteristikat e kombit shqiptar, etj.

Theks të veçantë gjatë fjalës së tij, Idrizi vendosi mbi nevojën e krijimit të një tregu të përbashkët ekonomik mbarëshqiptarë, të asaj që PDU e quan në programin e vetë “Komonuellthin ekonomik shqiptar”, pra një zonë unike ekonomike mbarëshqiptare.

Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bëri një analizë të gjatë të situatës politike dhe ekonomike në Kosovë, dy vjet pas pavarësisë së vendit. Ai sqaroi pozicionin e qeverisë së Kosovës në prag të dhënies së opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndërkohë që vlerësoi zhvillimin ekonomik që po ecën Kosova, si edhe projektet e përbashkëta me Shqipërinë, në veçanti Rrugën Durrës-Prishtinë.

Thaçi vlerësoi si të një rëndësie të veçantë liberalizimin e vizave pçr Shqipërinë dhe për Kosovën.

Idrizi dhe Thaçi ndan të njëjtin mendim për institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet Partisë Drejtësi dhe Unitet dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Drejtuesit e PDU do të takohen dhe me drejtues të tjerë të shteti të Kosovës dhe me drejtues të partive politike.

m.xh/NOA

KOMENTE