In Memoriam - Bekim Fehmiu Aroma Shqiptare E Kinemasë Botërore
SHKUP, 16 qershor /ATSH-MIA/ - Bekim Fehmiu i dha fund jetës së tij. Aktori i vetëm shqiptar i përmasave botërore, i veçantë në jetë dhe aktrim, mbeti i veçantë edhe në vdekje edhe në amanet. Kishte kërkuar që trupi i tij të digjej.
Prishtinë - Qirinj për nder të Bekim Fehmiut
------------------------------------------------------
Në orët e mbrëmjes komuniteti i artistëve ndezi qirinj për të nderuar jetën dhe veprën e ikonës së filmit Bekim Fehmiu.
Shtatëdhjetë e katër qirinj u ndezën para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e ikonës së filmit Bekim Fehmiu, i cili ka vdiq tragjikisht.
Komuniteti i artistëve e quajti Fehmiun udhërrëfyes për artistët. Aktori Enver Petrovci tha se lajmi për vdekjen e artistit të madh ishte lajmi më tragjik kishte marrë ndonjëherë në jetën e tij.
Ndërkaq regjisorët Fadil Hysaj dhe Burbuqe Berisha thanë se vdekja e një ikone në këtë mënyrë shihet si shenjë proteste dhe është tërheqje e vëmendjes për kujdes më të madh ndaj artistëve të mëdhenj që janë gjallë.
Hysaj theksoi se është për të ardhur keq që një artist kaq i madh si Bekim Fehmiu nuk ka arritur asnjëherë të flasë në gjuhën shqipe në ndonjë film në Kosovë apo Shqipëri.
Në nderim të të ndjerit Fehmiu para Teatrit Kombëtar është hapur edhe libri i zisë. Një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve, Fehmiu u vetëvra në Beograd, në moshën 74 vjeçare.
Aktori kosovar, Selman Jusufi tha se "Fehmiu ishte aktori më i mirë në Evropë, me prejardhje shqiptare, është një aktor që unë kisha fatin ta njoh jo vetëm si aktor, por edhe duke e pasur profesor për një kohë të shkurtër, është një personalitet që artit shqiptar nuk mund t'i përsëritet".
Isa Qosja, një tjetër aktor, tha se e konsideroj humbje jashtëzakonisht të madhe, shumë e madhe, paskajshmërisht e madhe, ishte një aktor i madh jo vetëm shqiptar, aktor që mund ta krahasoj me figurat më të rëndësishme që kanë qenë protagonistët e kinematografisë në botë.
Ndërkohë, Jeton Nneziraj tha se ''si zakonisht artistët e mëdhenj ikin kështu në heshtje dhe pas vdekjes natyrisht na mbetet neve të ndajmë mirënjohje, shpërblime, dekorata dhe kjo mendoj është e zakonshme në këto treva, artistët e mëdhenj ikin pa minimumin e mirënjohjes që e meritojnë''.
Vlerësimet e aktorëve serbë dhe kroatë
------------------------------------------------
Media serbe citon se vdekja tragjike e aktorit të famshëm Bekim Fehmiu në moshën
74-vjeçare nuk la askënd indiferent.
Ajo e cilëson aktorin e ndjerë si figurë të pazakontë, të papërsëritshme, yll të Ballkanit dhe si njërin nga artistët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX.
Presidenti serb, Boris Tadiç i dërgoi një letër ngushëllimi famljes së aktorit.
Aktori kroat Relja Bashiç tha se Bekim Fehmiun e mban në mend si një njeri jashtëzakonisht të talentuar dhe mjaft modest.
"Kam marrë pjesë në fillimin e karrierës së tij kur ka filluar të punojë jashtë vendit, me producentët italianë dhe më vonë me ata amerikanë. Gjithmonë mbeti shumë modest dhe mendoj se kjo është humbje e madhe për botën tonë artistike", tha Bashiç.
Kritiku serb i filmit, Milan Vljaçiç vlerëson se Bekim Fehmiu ishte njëri nga aktorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, por që nuk u shfrytëzua si duhet.
Regjisori i njohur serb, Goran Markoviç tha se ''ai ishte yll i madh, unë kam qenë askush dhe asgjë''.
"Bekim Fehmiu ishte aktor i madh dhe njeri i madh, lidhje e madhe midis serbëve dhe shqiptarëve", tha Markoviç.
"Bekimi ka luajtur në filmin tim të parë dhe ka bërë një gjest të cilin asnjëherë nuk e kam harruar", ka thënë Markoviç.
Bëhet fjalë për filmin "Edukimi special" i vitit 1977.
"Atë kohë ai ishte yll i madh, unë kam qenë askush dhe asgjë, ai ka pranuar ta luajë rolin kryesor pa shpërblim dhe luajti sikur të luante në një megaprojekt hollivudian", shton Markoviç.
"Mendoj se në këtë moment është e rëndësishme të theksohet se Bekimi ka qenë një lidhje e fuqishme mes serbëve dhe shqiptarëve, ka qenë aktor i madh dhe njeri i madh", shton ai.
Regjisori i famshëm, Purisha Xhorxheviç thotë se ''ai ishte shumë i bukur dhe i talentuar për këtë botë''.
''Bekimi ka pasur filma që e çuan në majën e botës. Kana ka duartrokitur për filmin "Mbledhësi i puplave". Ishte shumë i bukur dhe i talentuar për këtë botë", thotë Xhorxheviç./
a.jor.