In Memoriam/ Vlore: Kur Bekim Fehmiu Vizitonte Shpellen E Spilese Ku U Ndesh Odiseu Me Ciklopin
VLORE, 16 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Pothuajse katër vjet më parë, në fund të gushtit 2006, gjatë një vizite në Vlorë dhe më pas, në Himarë, aktori me famë botërore, Bekim Fehmiu vizitoi edhe shpellën ku, sipas mitologjisë është ndeshur Odiseu me Ciklopin pranë plazhit të Spilesë, që njihet nga vendasit me të njëjtin emër, "shpella e Spilesë".
Dje, artisti kosovar Bekim Fehmiu u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare në banesën e tij në Beograd, duke lënë pas në memorien kombëtare shqiptare emrin e artistit shqiptar të standarteve botërore me disa dhjetra role kinematografike edhe në filma hollivudianë, ndër të cilët, "Odisea", apo seriali i njohur italian "Përgjithmonë Xhulia", krahas bashkëpunimeve me regjizorë dhe aktorë botërorë.
Historiani vlonjat, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, që e priti dhe shoqëroi aktorin e njohur kosovar në atë vizitë të paharruar, tregon për ATSH-në detaje rreth saj.
"Fehmiu e kishte patur ëndërr të vizitonte shpellën ku, sipas mitologjisë, ishte ndeshur Odiseu me Ciklopin sipas skenës të fiksuar tek filmi "Odisea", ku protagonisti i tij, Uliksi interpretohej nga Bekim Fehmiu. Teksa shkonim tek vendi ku ndodhet shpella, Fehmiu kujtonte momentet kur interpretonte rolin e famshëm. Mjediset e kësaj shpelle nxitën tek ai kujtime të një kohe të largët që lidheshin me filmin. Sipas tij, kjo shpellë duhej të ishte skena e vërtetë ku duhej të luhej momenti i përballjes me Ciklopin", kujton Gaçe.
Në mjediset e shpellës ata qëndruan rreth 30 minuta dhe aktori shprehu keqardhjen që, diku në hyrje të saj, ishte ndërtuar një lokal.
"Ky është një monument i rëndësishëm që duhet të ruhet dhe të promovohet, sepse sjell momente të njohura të historisë së mitologjisë", kujton Gaçe thënien e Bekim Fehmiut duke vizituar Shpellën e Spilesë, ku, mendohet të jetë zhvilluar skena e përballjes së Odiseut me Ciklopin.
Historiani vlonjat thotë se Fehmiu, që vinte për herë të parë në Vlorë, kishte mbetur i mahnitur nga gjithcka që pa. Ai i kishte treguar Gaçes se, për të interpretuar Uliksin, kishte lexuar shumë nga historia e mitologjisë greke.
"Kishte lexuar mjaft libra të autorëve grekë dhe kishte adhurim për mitologjinë. Madje, shprehu keqardhjen që, ai origjinalitet i krijimtarisë së dikurshme të mitologjisë, trajtohej ndryshe nga autorët aktualë. Përmes leximeve të shumta, Fehmiu kishte hyrë në brendësi të rolit dhe siç tregonte, e përjetonte atë me të gjithë forcën e shpirtit. Prandaj dhe, donte të kishte një kujtim nga vendi real historik, ku ishte zhvilluar skena e Odiseut me Ciklopin. Bëmë fotografi dhe ai e mori atë me vete si një gjë të shtrenjtë", kujton Gaçe.
Ai shton madje se kur vizituan plazhe dhe vende të tjera përgjatë bregdetit të Himarës, si në Jalë, e gjetkë, Bekim Fehmiu tha se "këto janë vende të mrekullueshme ku mund të luhen mjaft filma".
"Ja tek janë vendet ku "Hollyvood", mund të zgjedhë për filmat e vet", kujton historiani vlonjat Bardhosh Gaçe shprehjen e Fehmiut, që kishte lexuar edhe mjaft për historinë e pellazgëve dhe ilirëve dhe ishte mjaft i orientuar në këtë drejtim.
"Ishte i ndjeshëm për rolin e Skënderbeut, duke u shprehur se, aktori rus që e kishte interpretuar, kishte forcën por jo plastikën e nevojshme për rolin e Skënderbeut tek filmi me të njëjtin emër", tregon më tej Gaçe.
Në atë periudhë, aktori i njohur kosovar erdhi nga Italia, ku ishte angazhuar me disa bashkëpunime për filma serialë, ndërsa kishte shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me aktorët shqiptarë, por në një moment të mëvonshëm. "Fehmiu në ato ditë do të festonte edhe 70-vjetorin e lindjes dhe kishte sjellë me vete një shishe verë "Peja", të cilën e konsumuam së bashku", sjell në kujtesë Gaçe.
Për të, Shpella e Spilesë është monument i kulturës natyrore dhe duhet të vlerësohet si e tillë.
"Aq më tepër që tashmë kemi edhe një element tjetër, vizitën në të të Bekim Fehmiut, i cili do të mbetet në memorien e shqiptarëve dhe më gjerë, mes të tjerash edhe për rolin e Uliksit", përfundon historiani Bardhosh Gaçe./n.m/