English

KMDLNJ letër Policisë së Kosovës: Me Albin Kurtin, përdorët dhunë

Prishtinë, 16 Qershor, NOA – KMDLNJ në një letër të posaçme që i ka dërguar ministrit të Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi si dhe drejtorit të Policisë së Kosovës,

Behar Selimi, paraqet rezerva në lidhje me arrestimin dhe trajtimin që iu bë prej forcave të tyre kreut të lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, sie dhe disa prej aktivistëve të saj.

Nga ana e tij, ky organizëm kërkon hetime dhe përgjegjësi pasi dhuna “ka qenë e evitueshme dhe e panevojshme, e sidomos ajo në Qendrën e Ndalimit që është e dënueshme me ligj”.

“Kemi të bëjmë me një ndërhyrje shumë të dhunshme të njësitit special të Policisë së Kosovës. Ky ishte intervenimi më i dhunshëm deri më tani kundër aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në këtë letër.

Duke shtuar ndër të tjera “të gjithë të arrestuarit janë keqtrajtuar fizikisht, që nga çasti i arrestimit, sidomos në burgun e policisë e deri te Qendra për Ndalim. Aty ku nuk ka pasur dëshmitarë”.

Ndërsa lidhur me sulmin te selia e lëvizjes “Vetëvendosje”, thuhet se ajo ka qenë e dhunuar nga policia, ku dyert dhe dritaret kanë qenë të shkatërruara, po ashtu edhe sirtarët.

“Përsëritja e dhunës në një interval kohor aq të shkurtër nuk është lajm i mirë as për policinë e Kosovës e as për opinionin. Nëse nuk i zhvilloni hetimet dhe nuk ndërmerrni veprime konkrete atëherë KMDLNJ këtë e sheh si problem shumë serioz që skajshmërisht do ta luhasë besimin në Policinë e Kosovës”, bën thirrje në fund letra.

n.e/NOA

KOMENTE