Komisioni I Ligjeve Ratifikon Një Marrëveshje Ekonomike Me Kuvajtin
TIRANË, 16 Qershor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot projektligjin "Për ratifikimin e Konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin".
Kjo konventë krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve a personave juridikë, shqiptare apo kuvajtianë, që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dy shteteve.
Në vijim, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe miratuan p/ligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare "Për përgjegjësinë civile dhe dëmshpërblimin për dëmet, në lidhje me transportin e lëndëve të rrezikshme dhe helmuese përmes detit, 1996".
Projektligji miratohet në kuadrin e strategjisë së shtetit shqiptar për integrimin në familjen ndërkombëtare dhe BE-së, si dhe nismave ligjore në fushën e detarisë. Konventa në fjalë përcakton dëmet, përfshirë humbjen e jetës ose plagosje personale, humbje ose dëmtim të pasurisë jashtë anijes, ndotjen e mjedisit, si dhe përcakton kostot e masave parandaluese dhe humbje të mëtejshme ose dëmet e shkaktuara prej tyre.
Aktualisht, vendi ynë është palë në një numër të konsiderueshëm konventash ndërkombëtare, në fushën e transportit detar, në bazë të një strategjie të përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO).
Pas miratimit të dy marrëveshjeve, anëtarët e komisionit vijuan diskutimet nen për nen të projektligjit "Për Faljen"./a.s/ /a.gj/