English

Kosovë - Presidenti Sejdiu Niset Për Vizitë Zyrtare Në Malavi

PRISHTINË, 16 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, u nis sot për vizitë zyrtare në Malavi, me ftesë të Presidentit të këtij shteti, Bingu Wa Mutharika. Presidenti Sejdiu ka zhvilluar një takim me Presidentin Mutharika në shtator të vitit 2009, ndërsa Malavi, një shtet me rreth 15 milionë banorë dhe një nga shtetet me orientimin më properëndimor në Afrikë, e ka njohur Republikën e Kosovës në nëntor 2009. Përveç takimit me Presidentin Mutharika, Presidenti Sejdiu do t'i drejtohet me një fjalë edhe Parlamentit të këtij shteti, do të takojë zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, si dhe do të takojë diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në Malavi. Në një deklaratë në Aeroportin e Prishtinës para nisjes për në Malavi, Presidenti Sejdiu theksoi se kjo vizitë do të ndihmojë në zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa çmoi si shumë të rëndësishëm faktin se Presidenti Mutharika është kryesues i tashëm i Unionit Afrikan dhe një personalitet që ka një peshë të veçantë në kontinentin e Afrikës. /s.s./
KOMENTE