Kosovë - Thaçi Në Bruksel, Takime Me Drejtues Të Lartë Të Be-Së, Nato-S Dhe Belgjikës
S
PRISHTINË, 16 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nis sot për një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe shtetit belg.
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur paradite, Kryeministri Thaçi tha se vizita e tij në Bruksel do të jetë në funksion të prezantimit të arritjeve në përmbushjen e standardeve për të qenë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të ardhmes së sigurt të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Bruksel Thaçi do të pritet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton dhe nga Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.
Në takimet e kryeministrit Thaçi me udhëheqësit e lartë të BE-së do të rikonfirmohet thellimi i të gjitha angazhimeve për perspektivën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, marrëveshjen tregtare me BE-në, etj.
Pas marrjes së pyetësorit për Marrëveshjen Tregtare me BE-në, në muajt në vijim Kosova pret marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Kryeministri Thaçi do të pritet në selinë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë takim Thaçi do të prezantojë zhvillimet pozitive në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Në Bruksel, kryeministri Thaçi do të zhvillojë një takim edhe me homologu e tij, kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, shteti i të cilit që nga data 1 korrik do të marrë udhëheqjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian. /s.s./