Prishtinë, 16 Qershor, NOA – Çështja çame mban në vetvete një histori shumë më të dhimbshme se historia e Kosovës, e cila tashmë ka gjetur rrugën e saj të lirë.
Një fakt të tillë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ia ka komunikuar kreut të partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi të përbashkët në Prishtinë.
Takimi, që zgjati rreth 30 minuta kishte në qendër të tij rolin e Kuvendit të Kosovës në jetën politike të shtetit më të ri në botë, si edhe funksionin e parlamentarëve në të mirë të çështjeve shqiptare.
Ndërsa kryetari i PDU-së, nga ana e tij, analizoi rolin që PDU ka luajtur dhe vijon të luajë në politikën shqiptare dhe historinë e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai vlerësoi Krasniqin si drejtues i luftës për pavarësimin e Kosovës, krahas heroit legjendar Adem Jashari dhe si drejtues të Kuvendit dhe e cilësoi Kuvendin e Kosovës si një ndër më të qetët në rajon, duke e krahasuar me parlamentet e vendeve nordike.
Idrizi theksoi se funksioni i deputetëve është mjaft i gjerë dhe kompleks.
Ndërsa duke folur për çështjen kombëtare dhe ndërthurshmërinë e elementëve të ndryshëm të saj, Idrizi theksoi se gjatë marshit në Qafë Botë, më 27 qershor, ku PDU ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizim, do të marrin pjesë për herë të parë figura të rëndësishme të elitës intelektuale shqiptare.
n.e/NOA