English

Kukës: Kontrolli I Akseve Rrugore Shqipëri-Kosove Me Nje Marrëveshje Te Perbashket

KUKËS, 16 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi për kontrollin e përbashkët të akseve rrugore nga Policitë e të dy vendeve. Në pikën kufitare të Morinit disa km larg qytetit të Kukësit, marrëveshja u nënshkrua nga drejtorët e Përgjithshëm të Policive të dy vendeve, Hysni Burgaj dhe Behar Selimi, në prani të dy ministrave të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Bajram Rexhepi, përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe shumë zyrtarëve të tjerë. "Sezoni i plazhit ka filluar dhe përballimi i fluksit të madh të kosovarëve që dynden drejt plazheve ka sfida të reja", tha ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha. "Jemi këtu për nënshkrimin e marrëveshjes të bashkëpunimit mes dy policisë të kontrollit të akseve rrugore, gjë që do të rrisë cilësinë e shërbimit mes dy vendeve dhe do të kontribuojë në kontrollin më efikas të akseve rrugore," tha Basha. Ndërsa homologu kosovar, Bajram Rexhepi tha se "Ky memorandum është në vazhdën e bashkëpunimit dhe jo vetëm lehtëson lëvizjen e qytetarëve, por edhe kontrollin me patrulla të përbashkëta duke eliminuar mangësitë e vërejtura më parë". "Tashmë rruga që lidh dy vendet është e standarteve bashkohore e kështu do të ketë më pak arsye për aksidente", vuri në dukje Rexhepi. Ai theksoi se kjo marrëveshje është në vazhdën e integrimeve evropiane dhe mundëson jo vetëm rritjen e efikasitetit në luftën kundër trafiqeve e kontrabandës, por edhe shkëmbimin e eksperiencës mes policive të të dy vendeve. Marrëveshja hyn në fuqi që sot dhe do të zgjasë për 3 muaj./ch/
KOMENTE